Ministri Lleshaj: Kostoja e vettingut në polici, 3 mln dollarë

Ministri Lleshaj: Kostoja e vettingut në polici, 3 mln dollarë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha nga Parlamenti se kostoja  e procesit të vettingut në polici do të jetë 3 mln dollarë. Ai sqaroi procesi i vettingut do të jetë i ndarë në 3 faza dhe 393 persona do të merren me këtë proces.

Lleshaj: Deri më sot, pra ju e dini se kur ka filluar Vettingu në sistemin e Drejtësisë, rreth 111 persona  kanë kaluar procesin  dhe në qoftë se në sistemin  e Drejtësisë  janë rreth 800 persona që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut, në sistemin e Ministrisë së Brendshme ky numër është rreth 13 mijë veta.

Problemi themelor  që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën, e cila është në dispozicion për të mbyllur procesi e Vettingut. Sipas ligjit aktual, procesi i Vettingut për 13 mijë punonjës të Ministrisë së Brendshme duhet të mbyllet në marsin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar dhe praktikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ky proces të mbyllet ashtu sikundër ligji e parashikon, pra në marsin e vitit të ardhshëm.

Kjo ka qenë një ndër arsyet bazë, e cila ka motivuar dhe kërkesën drejtuar qeverisë, e cila sot është shndërruar në projektligj dhe ka mbërritur në parlament, për të bërë disa ndërhyrje në ligjin ekzistues për Vettingun.

Dua të them që në fillim që ndryshimet e propozuara nuk prekin aspak thelbin e procesi të Vettingut, përkundrazi, i gjithë ndryshimi bëhet në shërbim të një procesi më të shpejtë dhe më të vendosur.

Një arsye tjetër që ka të bëjë me kërkesën për të ndryshuar ligjin lidhet me volumin e madh administrative që kërkohet për të realizuar atë, kërkohet që rreth 240 punonjës me kohë të plotë, nga strukturat e Policisë dhe të SHÇBA, të shkëputen nga funksioni i tyre bazë dhe ti dedikohen Vettingut me kohë të plotë, pra kjo është një volum shumë i madh administrativ dhe këtij volumi administrativ  i bashkëshoqërohet dhe një faturë jo e parëndësishme financiare, e cila shkon rreth 3 milionë dollarë, kosto e parashikuar e këtij procesi.

Çfarë parashikohet për ndryshim?
Së pari, propozohet që punonjësit e SHÇBA-s, e cila është strukturë e dedikuar për t’u kujdesur për integritetin e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës,  të kalojnë Vettingun në fazën e pare të tij. Ligji aktual parashikonte që SHÇBA-ja të kalonte në një fazë të dytë, jo në fazën e parë. Ne propozojmë që SHÇBA të kalojë në fazën e parë me qëllim që SHÇBA-ja të shndërrohet në aktorin kryesor të procesit për më tej, ashtu sikundër  e parashikon dhe ligji organik i saj, si strukturë, siç e përmenda më parë, ekziston për tu kujdesuar që Policia e Shtetit dhe Grada e Republikës të jenë struktura të pastra, me integritet dhe të angazhuara vetëm në shërbim të ligjit dhe në asnjë lloj shërbimi tjetër.

Vlerësimi i fazës së parë do të mbetet i pandryshuar, siç është, do të kryhet nga një Komision i Jashtëm prej 15 anëtarësh dhe një staf teknik prej 15 personash. Komisioni i Jashtëm ndërkohë është ngritur dhe ka filluar punën e tij dhe kjo ka shënuar praktikisht fillimin e procesit zyrtar të Vettingut dhe pritet që në një kohë të shkurtër të fillojë dhe të hapen dhe dosjet e para të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit  dhe Gradës së Republikës, me qëllim që rezultatet e para të procesit të jenë të prekshme në një kohë shumë të shkurtër.

Ndryshimi i dytë që propozohet qëndron në faktin SHÇBA-ja do të shndërrohet në një strukturë, e cila do të kryejë më tej Vettingun për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, pra fazën e dytë dhe të tretë, për punonjësit e nivelit të mesëm dhe atyre të nivelit bazë.

Pra, ndryshe nga sa e parashikon ligji aktual ku ky vlerësim në fazën e dytë dhe të tretë do të kryhej nga struktura ad-hoc, me propozimet e bëra ky vlerësim duhet të bëhet nga vetë SHÇBA-ja.

Ne besojmë fort që këto ndryshime kanë disa avantazhe, përveç faktit që e sjellin në kohë të gjithë procesin dhe nuk bëjnë që të na skadojë afati pa bërë pothuajse asgjë, këto kanë një impakt të rëndësishëm. 

Së pari, lidhet me standardin e njëjtë që përdorim duke përdorur SHÇBA-në si strukturë e cila do të bëjë Vettingun për fazën e dytë dhe të tretë, pra për trupën e nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, do të thotë që të ruhet i njëjti standard vlerësimi por mbi të gjitha të shkurtohet shumë koha për arsye se SHÇBA-ja, duke qenë se është vetë aktori i këtij procesi, do të ketë në dispozicion, në kohën më të shkurtër, të gjithë bazat e të dhënave dhe informacionet e nevojshme mbi bazën e të cilave kryhet në fakt Vettingut. Dhe shkurtojmë një hallkë të ndërmjetme, sepse SHÇBA-ja, në rastin aktual, do ta pasonte informacionin te komisioni i vlerësimit dhe ky do të bënte vlerësimin.

Nga ana tjetër, procesi garanton pavarësi, paanshmëri dhe nuk ndryshon as kriteret, as procedurat. Dhe ky është pohimi themelor që duhet të kemi të gjithë parasysh, që me gjithë ndryshimet e karakterit teknik dhe administrativ, thelbi i procesit mbetet i paprekur. Pra kriteret dhe procedurat e vlerësimit mbeten ekzaktësisht të njëjtat. Por, siç thashë, koha e nevojshme për të kryer vlerësimin shkurtohet në mënyrë të konsiderueshme për arsye se do të përdoren arkivat e vetë SHÇBA-së për ta mbyllur këtë proces në kohën dhe mënyrën më të mirë të mundshme.

Pak a shumë këto janë ndryshimet themelore që propozohen, të nderuar deputetë, dhe ju propozoj që ta votoni “pro” këtë ndryshim, me sigurinë që ndryshimi i propozuar sjell shpejtësi, sjell vënie në kohë të procesit dhe ruan të njëjtat parametra të parashikuar nga ligjvënësi në ligjin e mëparshëm.
Faleminderit!


EMISIONET