Ministri ksenofob dashurohet me refugjaten iraniane

Ministri ksenofob dashurohet me refugjaten iraniane

Ai populist dhe ksenofob i lindur. Ajo shumë e bukur, por përfaqëson gjithçka që ai ka deklaruar gjithnjë hapur se urren: emigrante, refugjate politike, sy gështenjë dhe lëkurë të errët.

Ja që dashuria i përzien letrat dhe kështu disa pozicione ekstreme zbuten dhe në vend të urrejtjes hyn toleranca: të paktën për 'zemrën' e tij.

Duket si një përrallë, por në fakt ka ndodhur vërtet.

Ministri i Peshkimit në Norvegji Per Sandberg, slogani i të cilit ishte "racat, fetë dhe kulturat e ndryshme nuk duhet të përzihen", është fejuar me Bahareh Letnes, ish Miss Iran, e arratisur nga vendi i saj për të evituar një martesë me shkuesi.

Bahareh erdhi për herë të parë në Norvegji kur ishte 16 vjeç. Për tri herë radhazi ka rinovuar kërkesën e saj për azil politik dhe për tri herë i është refuzuar.

Me t'u kthyer në Iran u detyrua të arratisej nga vendi i saj i lindjes për të evituar martesën që babai i kishte propozuar.

Në 2008-n arriti të marrë statusin e refugjates në vendin skandinav.

Vajza nuk i ka ndërprerë asnjëherë lidhjet me vendin e saj të lindjes dhe ka përfaqësuar Iranin në konkurse të ndryshme bukurie: Miss Iran 2013, Miss Globe Iran 2014 dhe Miss Grand International Iran në të njëjtin vit.

Më pas u njoh me Per Sandberg dhe të dy u dashuruan me njëri tjetrin.

Ministri, i divorcuar dhe me tre fëmijë, ka lënë mënjanë bindjet e tij ksenofobe dhe është fejuar me iranianen.

Pikërisht ai që donte të prezantonte byrzylykun elektronik për emigrantët që prisnin azilin dhe që, gjatë karrierës së tij politike ka bërë deklarata të forta si: "T'i ndalojmë ciganët në doganë, sjellin vetëm telashe", apo deklaratë të tipit: "Nëse vazhdojmë kështu, në disa fjorde të Norvegjisë do mbretërojë vetëm sheriati."

EMISIONET