Ministri grek Kotzias: “Jo luftë me Turqinë!"

Ministri grek Kotzias: “Jo luftë me Turqinë!"

Në kohën që tensioni midis Athinës dhe Ankarasë është rritur së tepërmi kohët e fundit, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka deklaruar se vendi i tij nuk po përgatitet për një luftë të mundshme me Turqinë.

“Jo, jo. Nuk ka alternativë tjetër veç paqes dhe bashkëjetesës paqësore. Por kjo nuk do të thotë se nuk marrim parasysh sjelljen e kujtdo fqinji dhe se si e trajton problemin e fqinjësisë. Te të gjithë fqinjët, dhe te familjet më të mira, ka probleme. Duhet të zgjidhen në mënyrë diplomatike, paqësore dhe mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare”, i ka deklaruar Kotzias revistës gjermane Der Spiegel.

Por Ministri i Jashtëm grek ka pranuar se vendi i tij po armatoset.

“Mbi bazën e mundësive tona ekonomike, po blindojmë mbrojtjen tonë. Kemi efektiva të mira dhe armë të mira. Gjashtë nëndetëset gjermane janë një armë e tmerrshme detare. Turqia investon në projekte të mëdha, si blerja e aeroplanmbajtëseve, mirëpo Greqia ka 2.000 ishuj”.

Duke komentuar rivalitetin midis Greqisë dhe Turqisë, mediat prestigjoze ndërkombëtare, vërejnë një “lojë me zjarrin në detin Egje”.

Ky rivalitet i nisur dekada më parë, tashmë është përshkallëzuar dhe kësaj “loje me zjarrin” i janë shtuar edhe elementë të tjerë, si tetë ushtarakët turq që kanë kërkuar azil politik në Greqi, dhe tash së fundi dy ushtarakët grekë që po mbahen të burgosur në Turqi prej një muaji, të akuzuar për shkelje të kufirit shtetëror.

EMISIONET