Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka mbërritur mëngjesin e të martës në Athinë, ku do të takohet me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias dhe Ministrin e Çështjeve Europiane, Jorgos Katrugalos.

Takimet inkuadrohen në përpjekjet e intensifikuara për zgjidhjen e mosmarëveshjes mbi emrin kushtetues të fqinjit verior të Greqisë.

Të hënën, qeveria greke shqyrtoi gjithë formulat e mundshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Në një intervistë televizive në orët e vona të mbrëmjes, Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias, bëri të ditur se Athina zyrtare ka konkluduar në alternativat për të cilat do të diskutojë me palën maqedonase.

Por ai nuk “zbuloi” asnjë nga emrat e mundshëm që do të hidhen mbi tavolinën e negociatave.

Kotzias ndërkaq tha se emri “Sllavomaqedoni” nuk pranohet nga shqiptarët e atjeshëm, pasi konsiderojnë që kështu ata përjashtohen si element shtetformues.

Gjithësesi, Kotzias përsëriti qëndrimin e njohur se Maqedonia nuk do të mund të anëtarësohet në NATO pa u zgjidhur mosmarrëveshja për emrin.

Shefi i diplomacisë greke shprehu vendosmërinë e Athinës për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje, por theksoi se kjo varet edhe nga pala maqedonase.

“Ne do ta zgjidhim problemin, përderisa edhe pala tjetër tregohet racionale”, duke shtuar se ky është një problem që shpërdoron energji si nga ana e Greqisë, ashtu edhe nga Ballkani në përgjithësi.

/Ora News.tv/