Ministrat Lleshaj dhe Balluku, përgjegjës për sigurinë në aeroportin e Rinasit

Ministrat Lleshaj dhe Balluku, përgjegjës për sigurinë

Grabitja e dytë në Aeroportin e Rinasit ka vënë në lëvizje dy nga Ministrat më të rëndësishëm të qeverisë Rama. Sandër Lleshaj ka akuzuar se ka dështuar siguria dhe ka akuzuar se koncesionari nuk i është përgjigjur kërkesave për rritjen e masave.

 Ndërkaq dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka shfaqur pakënaqësitë duke u shprehur se nuk do të ketë më tolerim. Por pikërisht të dy funksionarët e lartë kanë pasur dijeni edhe më herët për situatën dhe e vetmja masë duket se ka qenë dërgimi i shkresave.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka drejtuar Këshillin e Autoritetit të Aviacionit Civil nga 13 dhjetori i vitit 2017 deri në 2018. Në këtë periudhë rezulton se Bordi i drejtuar nga Lleshaj ka marrë një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me tarifat dhe rregulloret që zbatohen nga operatorët e aviacionit civil.

Por asnjë masë nuk rezulton të jetë marrë në rastin e masave të sigurisë.

Po ashtu edhe Balluku ka qenë pjesë e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil si drejtuese e ANTA. Ndaj dhe situatën në koncesionar duket se e ka pasur të qartë.

Çuditërisht të dy titullarët janë shfaqur në media duke denoncuar ngjarjen pasi ka ndodhur, por nuk kanë bërë të ditur masat që kanë marrë.

Madje në tryezën e Ministres së Infrastrukturës qëndrojnë dy raporte. Së pari kërkesa e dalë nga Këshilli i Sigurisë për ngritjen e një grupi pune. Prej më shumë se tre muajsh në detyrë ende është enigmë nëse titullarja ka marrë një vendim.

Drafti i dytë mbetet auditi mbi fitimet e koncesionarit të cilat rezultuan 40 për qind më të larta se kontrata. Edhe pse ishte lënë që në mes të shkurtit Ministrja të realizonte se bashku me koncesionarin hapat që do të ndiqeshin, sërisht gjithçka ka mbetur në hije, dhe rezulton se asnjë ndryshim nuk ka në çmimet që duhet të paguajnë qytetarët. Dhe sërish Ministrja shfaqet e shqetësuar vetëm pasi u grabitën miliona euro të tre bankave.

Balluku: Pasi Kutia e Pandorës është hapur dhe do të kemi kohë plot për të sqaruar mungesën e kushteve dhe detyrimeve për cilësinë e shërbimeve që kompania nuk plotëson.

Pavarësisht se kutia e pandorës sipas Ministres është hapur, asnjë dokument nuk rezulton të jetë paraqitur prej të dy titullarëve në organin e akuzës për të hetuar shkeljet.

A thua sikur fjala tani boll është e mjaftueshme për rikthimin e maskave në zonën që duhej të ishte më e sigurta në vend.

Ekspertët e aviacionit shprehen se institucionet kanë qenë të ngathta në veprim.

Goxhaj: Ka dështuar totalisht në kryerjen e detyrave të veta. Deklarata e Ministres dhe gjithë këtyre që thonë ne e dinim  që ishte ky nivel dhe nuk kanë marrë asnjë masë, tregon që këta kanë bërë një vepër penale të shpërdorimit të detyrës.

Prençi: Jo vetëm shtimi i masave që do të kompensonin ruajtjen dhe sigurinë që bënte dikur reparti i rendit tani do të bëheshin me masa sigurie të telekomanduar, me sensorë, nuk u bënë kurrë. Për këtë e ka përgjegjësinë Ministria e Transporteve.

Tre prova u realizuan për të parë nivelin e sigurisë në Rinas, por në të tre rastet siguria dështoi të sinjalizonte në kohë, madje të infiltuarit arritën të kalonin dhe armë e thika.

EMISIONET