Minatorët protesta në Korçë, Kukës e Durrës: Zgjidhje për statusin ose grevë urie

Minatorët protesta në Korçë, Kukës e Durrës:

Çështja e pazgjidhur e statusit nxorri sërish në protestë minatorët. Në Korçë, Durrës, Kukës e qytete të tjera ata u mblodhën para prefekturës duke kërkuar zgjidhje, ose në të kundërt kërcënuan se do të përshkallëzojnë qëndrimin në grevë urie.

Minatorët iu rikthyen protestave në kërkim të statusit sipas tyre të mohuar prej vitit 1991.

Me thirrjet “Duam statusin, duam paratë tona, të gjitha qeveritë na kanë mashtrua", ata u mblodhën para prefekturave në qarqet e njohura për veprimtarinë minerare.

Në Korçë ku numërohen rreth 1500 ish-minatorë, një përfaqësi zhvilloi një takim me prefektin Dhori Spirollari,  pas të cilit thanë se do të përshkallëzojnë protestat në grevë urie në rast se kërkesat nuk merren parasysh.

Me të njëjtat kërkesa, protestuan edhe ish-minatorët e Kukësit, Memaliajt, Durrësit e Mirditës.

Në të gjithë vendin përllogariten se janë rreth 3000 minatorë që kërkojnë të përfitojnë statusin që u njeh më shumë të drejta, përfshi pensionet.

Ata kanë protestuar disa herë në rrethe apo në Tiranë, por çështja e statusit të minatorëve mbetet ende pa zgjidhje.

EMISIONET