Dita e Verës mbushi si çdo vit rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit. Atmosfera festive ndihej kudo ndërsa në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe sheshin "Skëndërbej", Bashkia kishte organizuar aktivitete të ndryshme artistike.

Por edhe Liqeni Artificial ishte tejet i frekuentuar. Festimet nisën me paradën e parë të karnavaleve të organizuar prej fëmijët e shkollave 9 vjeçare por edhe Flota Kombëtare e Pilotëve Kosovë-Shqipëri ka surprizuar.

Në festime mori pjesë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili uroi qytetarët për Ditën e Verës.

Veliaj theksoi se pavarësisht disa debateve, puna për ndërtimin e Tiranës do të vijojë. Ai siguroi nisjen e një sërë projektesh të rëndësishme për qytetin.

Veliaj: Pavarësisht debateve që pati kur ndërtuam këndin e lojërave, pavarësisht debateve që pati kur ndërtuam Pazarin e Ri, pavarësisht debateve që pati kur ndërtuam Bulevardin e Ri, do të vazhdojmë në këtë mot të ri për të ndërtuar më shumë në Tiranë, pavarësisht debateve që do kenë. Do të jetë Piramida, do të jetë teatri i ri, do të vazhdojmë me fundin e bulevardit. Ne kemi mësuar që çdo ndryshim vjen me një rrëmujë të madhe, por kur ndryshimi vjen, të gjithë e përqafojnë dhe harrojmë që shumë prej gjërave që kemi kritikuar e debatuar, janë sot pikat më të nxehta të qytetit.

 Vëmendje në këtë ditë i ishte kushtuar dhe një tjetër kategorie. Gratë e dënuara që ndodhen në burgun 'Ali Demi' ekspozuan punimet e tyre artizanale dhe blerësit kanë qenë jo të pakët.

 "Punimet e grave që janë me grep, me rruza, dhe pikturat që kanë bërë gocat brenda. Ka pasur shitje".

Ndërsa në këtë kënd një tjetër gjetje interesante, Ambasada suedeze kishte sjellë fotot e 25 baballarëve suedezë, të cilët kishin zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi të paktën për 6 muaj, duke marrë lejen e lindjes.

Me anë të këtyre fotove, autori zbulon se çfarë nënkupton leje prindërore për këta baballarë dhe mënyrën sesi ka ndikuar në marrëdhënien mes prindërve dhe fëmijëve.

Aktivitetet festive mbyllen në mesnatë ku të rinjtë do të kenë mundësi të ndjekin DJ dhe këngëtarët më të mirë të momentit të zhanreve të ndryshme muzikore.

 

 

/Ora News.tv/