Kompania, Microsoft ka njoftuar se janë penguar disa tentime ruse për të kryer sulme kibernetike kundër grupeve konservatore amerikane.

Kompania softuerike ka thënë se hakerët rusë kanë tentuar të vjedhin të dhëna nga organizatat politike, duke përfshirë Institutin Ndërkombëtar Republikan dhe Institutin Hudson.

Mirëpo ata kanë penguar tentimet kur stafi i sigurisë ka fituar kontrollin në faqet që kanë qenë duke imituar versionet origjinale të faqeve zyrtare.

Sipas Microsoftit, grupi, Fancy Bear qëndron mbrapa tentimeve të dështuara për sulm.

“Ne jemi të shqetësuar se këto dhe tentime tjera përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe për grupe të lidhura me partitë politike amerikane që garojnë në zgjedhjet e vitit 2018”, është thënë në një deklaratë të Microsoftit në të cilën janë dhënë detaje të punës së tyre.

Sulmi i penguar kishte synim të niste fushatë mashtruese, përmes së cilës personat do të vizitonin faqet e rreme online dhe në këtë mënyrë Fancy Bear do të fitonte informacione të personave që kanë klikuar në ato linqe.

Përveç dy Instituteve të përmendura, adresat mashtruese kanë qenë të lidhura edhe me disa zyra të Senatit dhe shërbime tjera.

Gazeta New York Times ka raportuar se ka mundësi që dy Institutet e shënjestruara kanë qenë cek për shkak se më parë kanë qenë mbështetëse të presidentit Trump, mirëpo tani janë kundërshtare dhe kanë bërë thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë.

/Ora News.tv/