Meta viziton zyrën e Avokatit të Popullit: Dhuroni gjak

Meta viziton zyrën e Avokatit të Popullit: Dhuroni gjak

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Institucionin e Avokatit të Popullit, punonjësit e së cilit zhvilluan një seancë dhurimi gjaku, në kuadër të nismës që ka ndërmarrë “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga zonja Erinda Ballanca, theksoi fillimisht rëndësinë e Institucionit të Avokatit të Popullit, institucion që mbron të drejtat, liritë dhe interesat e individëve, përfshirë edhe fëmijët e mitur.

"Kënaqësia është e dyfishtë, sepse ky institucion organizon sot këtë seancë të dhurimit vullnetar të gjakut për të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevojë dhe sigurisht që ky është një moment shumë pozitiv i solidaritetit, i përgjegjshmërisë, i humanizmit. 

Dua ta falënderoj në mënyrë të veçantë Avokaten e Popullit, zonjën Erinda Ballanca pasi ka qenë ndër përkrahëset më të forta e më të angazhuara që në fillim të ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’ dhe i ftoj të gjithë që të bëhen dhurues të rregullt të gjakut, sepse në këtë mënyrë jo vetëm i kontribuojnë mbarëvajtjes së shëndetit të tyre, por edhe kontribuojnë për një kauzë humane, duke ndihmuar të gjithë qytetarët tanë, të cilët e kanë nevojë jetike dhurimin e gjakut.” theksoi Presidenti Meta.

Ndërsa Avokatja e Popullit, zonja Erinda Ballanca theksoi se institucioni i drejtuar prej saj do ta përkrahë në vijimësi këtë nismë.

Presidenti Meta vuri në dukje gjithashtu: “Për sa i takon dhurimit të gjakut dua të them se Shën Nënë Tereza ka një thënie të jashtëzakonshme, që u drejtohet të gjithë njerëzve kudo në botë, të cilët duan të bëjnë vepra të mira se ndoshta "secili nga ne nuk mund të bëjë dot gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe".


EMISIONET