Meta takon homologun Pahor, kërkon mbështetjen e Sllovenisë për negociatat

Meta takon homologun Pahor, kërkon mbështetjen e Sllovenisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Zotin Borut Pahor, në Lubjanë.

Presidenti Meta e uroi edhe njëherë për rizgjedhjen e tij si dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme që Presidenti Pahor dhe Sllovenia i kanë dhënë Shqipërisë jo vetëm në planin dypalësh por edhe në kuadrin e procesit të integrimit evropian për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan progresin dhe zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, si dhe ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e një harmonizimi e koordinimi më të mirë të qëndrimeve e veprimeve nga vendet e rajonit.

Ata vlerësuan rolin e rëndësishëm që mund të luajë në këtë drejtim nisma e Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe për ruajtjen e fokusit nga ana e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe vijimin me hapa konkretë të procesit të zgjerimit.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu besimin se mbështetja e Sllovenisë për çeljen së shpejti të negociatave të anëtarësimit në BE do të jetë domethënëse dhe do të inkurajonte vijimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve dhe standardeve të nevojshme.

Presidenti Meta e ftoi Presidenti Pahor për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u prit me kënaqësi dhe që pritet të realizohet në muajt në vijim.



EMISIONET