Presidenti Ilir Meta refuzon të dekretojë emërimin e Gent Cakajt si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në letrën drejtuar kryeministrit Rama dhe që mban datën 10 janar 2019,  presidenti renditi dy argumente thelbësorë. I pari lidhet me deklaratat që Cakaj ka mbajtur për gjatë kohës si zv/minister lidhur me të ashtuquajturin korrigjimi i kufijve, të cilat i quajti "të rrezikshme" dhe me "pasoja të paparashikueshme" 

I dyti lidhet me mospasjen e çertifikatës së sigurisë.  Kjo është hera e parë që një president refuzon dekretimin e një ministri. 

Gent Cakaj u propozua të emërohet nga kryeministri Edi Rama në postin e lënë bosh nga Ditmir Bushati i cili u shkarkua nga kryeministri gjatë Asamblesë Kombëtare që u mbajt më  28 dhjetor. Nga ana e tij presidenti Meta refuzoi të dekretojë shkarkimin e Bushatit.

S'kemi kohe per eksperimente

"Në mungesë të kohës për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftsitë e ministrit të propozuar përballë sfidave aktuale madhoer për vendin dhe interesat e kombit gjykoj se në krye të ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore kombëtare dhe administrative. Gjithashtu duhet të jetë i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht  në muajin e ardhshëm, por dhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është një përgjegjësi historike për vendin tonë. 

Profili i Genti Cakajt  ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative shtetërore në secilën element dhe tërësi" shkruan Presidenti në letrën drejtuar kryeministrit Rama me nr 16/1 dhe që mban datën 10 janar.

Deklaratat e Cakajt te rrezikshme dhe me pasoja
Madje presidenti i quan "të rrezikshme" dhe me "pasoja të paparashikueshme" në rajon deklaratat që Cakaj ka bërë gjatë kohës si zv/minister dhe shton se qendrimet e tij per korigjimin e kufijve ne kundershtim me ato te qeverise se sotme

Më tej në letrën që i drejton kryeministrit, presidenti shton se gjatë ushtrimit të detyrës si zv/ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështjet thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme.

"Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga ministria e Punëve të Jashtme"

 Nuk ka certifikate sigurie

Jo vetëm kaq, por Kreu i Shtetit thotë se zoti Cakaj ka kryer edhe shkelje penale duke rrezikuar sigurinë e vendit.  Kjo pasi ai ka qëndruar 7 muaj në detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtmne pa certifikatë sigurie. Meta thotë se Cakaj ka plotësuar formularin vetëm 3 ditë pas propozimit për Ministër të Punëve të Jashtme dhe kontrolli i tij nga DSIK është bërë brenda një dite, me 4 janar.

 "Cakaj me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mosopajisjen me certifikatat përkatëse të sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor. Ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nenligjore të sipërcituara që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Për presidentin Meta, shqiptari i Kosovës,  Gent Cakaj, në 7 muaj si zëvendës ministër  i jashtëm, jo vetëm ka treguar munges eksperince por sipas tij disa qendrime për politikën rajonale janë të papranueshme.

Reagon Rama: E turpshme- I ashpër në reagim, Kryeminsitri Rama e ka quajtur të turpshëm refuzimin e Presidentit Meta, dhe të turpshme po ashtu argumentet e përdorura nga kreu i shtetit.

Rama: "Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentat e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp" 

Kunderpergjigjet Meta- Në kundërpërgjigje presidenti Meta po përmes një postimi në Twitter shkruante:   "Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si president i vendit tim"

Ky nuk është rasti i parë i një përplasjeje institucionale mes presidentit dhe kryeministrit. Më i fundit ishte përplasja për dekretin e Sandër Lleshajt në krye të ministrisë së Brendshme.


 



/Ora News.tv/