Meta pret ambasadorin e ri të BE-së: Domosdoshmëri përparimi urgjent i vendit

Meta pret ambasadorin e ri të BE-së:  Domosdoshmëri

Ambasadori i ri i BE-së, Luigi Soreca, i paraqiti sot letrat Kredenciale Presidentit Meta.

"Kënaqësi që BE ka përzgjedhur si ambasador një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Shqipërisë. Soreca ka një kontribut të spikatur për suksesin e liberalizimit të vizave me BE" u shpreh Meta.

Kreu i shtetit  nënvizoi "domosdoshmërinë e përparimit urgjent në çështjet e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik" thuhet në njoftimin e presidencës.

Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dyfishimit të përpjekjeve të brendshme dhe rritjen e bashkëpunimit pozitë-opozitë për avancimin e reformave kyçe që do të mundësojnë realizimin e objektivit për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm.    

Nga ana e tij, ambasadori Soreca  theksoi se do të punojë ngushtë për thellimin e reformave në vend.

"Është një nder të përfaqësoj Bashkimin Evropian në një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt pranimit në BE. Këshilli i Bashkimit Evropian ka përcaktuar një rrugë të qartë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2019. Unë do të punoj ngushtësisht me autoritetet shqiptare dhe në koordinim me Shtetet Anëtare të BE-së, për të siguruar që reformat e nevojshme jo vetëm të konsolidohen, por edhe të thellohen.

Është një privilegj personal të kthehem në Shqipëri pasi kam udhëhequr ekipin e BE-së që negocioi dhe zbatoi regjimin e tij pa viza me Bashkimin Evropian. Pres me padurim lajme të mira të ngjashme gjatë katër viteve të ardhshme, me rezultate që do ta përmirësojnë më tej jetën e përditshme të shqiptarëve", tha Ambasadori Soreca pas ceremonisë.

Puna e Ambasadorit do të fokusohen kryesisht në reformat që lidhen me pesë prioritetet kyçe (reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë), në trajtimin e rekomandimeve të pazgjidhura të ODIHR-it në lidhje me sistemin zgjedhor shqiptar, si dhe në reduktimin efektiv të numrit të aplikimeve të pabazuara për azil në Shtetet Anëtare. Ambasadori Soreca do të fokusohet gjithashtu në fuqizimin e grave dhe në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ambasadori do të punojë për këto çështje në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile dhe autoritet vendore.

Ambasadori Soreca është shtetas italian me eksperiencë të gjerë në çështjet e shtetit ligjor, zbatimit të ligjit, sigurisë dhe migracionit në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Para marrjes së detyrës si Shef i Delegacionit të BE-së në Tiranë, ai ka shërbyer si Drejtor i Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme të Komisionit Evropian. Ndërmjet viteve 2006 dhe 2011, Ambasadori Soreca ka drejtuar Dialogët për Liberalizimin e Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.


EMISIONET