Meta: Nga braktisja e Luginës së Preshevës prej shqiptarëve nuk fiton askush

Meta: Nga braktisja e Luginës së Preshevës prej shqiptarëve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë vizitës që zhvilloi të dielën në Medvegjë, thekson se njerëzit atje kanë nevojë për shpresë, pasi në të kundërt, si Medvegja ashtu edhe Bujanoci dhe Presheva do të braktisen dhe nga kjo askush nuk do të fitojë.

Meta: Është koha për të realizuar bashkëpunime konkrete dhe jo për të përsëritur retorikat nacionaliste. Njerëzit kanë nevojë për shpresë, kanë nevojë për besim, se fëmijët e tyre mund të rriten në Medvegjë, mund të rriten në Bujanovc, mund të rriten në Preshevë, në zona të tilla dhe kjo është një sfidë që ne duhet ta fitojmë në emër të kësaj të ardhmeje. Përndryshe këto zona do të vazhdojnë të braktisen dhe jam i sigurt që askush nuk do të ndihet i fituar.

I pyetur gjatë interviste për Tv Klan rreth një vizite në Beograd, Meta tha se Serbinë e ka vizituar prej shumë kohësh, ndërsa nuk dha ndonjë datë për vizitë të shpejtë.

Meta: Unë Beogradin e kam vizituar prej shumë kohësh, prej dy dekadash. Kur nënkryetarja e komunës tha që unë kisha punuar për paqen në rajon prej shekujsh e vlerësova si një lapsus, por më pas kur u bë sqarimi se konsiderohej angazhimi im edhe para vitit 2000 dhe pas vitit 2000, kjo mund të konsiderohet një thënie e cila ka një të vërtetë.

Unë besoj shumë te sfida e vërtetë që kanë shqiptarët dhe serbët në mënyrë të veçantë, por i gjithë rajoni, që është pikërisht përpjekja për të fituar kohën e humbur. Kohën e humbur nga konfliktet nga retorikat nacionaliste, nga populizmi i liderëve dhe këtë mund ta fitojë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe konkret.

EMISIONET