Gjatë vizitës në landin e Rhinit verior dhe Vestfalisë në Gjermani, Presidenti Ilir Meta  u prit nga kryeministri i këtij landi. Presidenti Meta nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe vlerësoi rëndësinë që këto marrëdhënie kanë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohje për ndihmën që Gjermania dhe populli gjerman i ka dhënë Shqipërisë dhe popullit shqiptar në planin dy palësh gjatë anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE, duke theksuar se kjo mbështetje mbetet jetike për hapjen e negociatave me BE vitin që vjen.

Meta: Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë final dhe Gjermania është shtylla e Europës sot, por edhe Shqipëria është strategjike për Gjermaninë sepse stabiliteti dhe siguria e Ballkanit janë mjaft të rëndësishme për të gjithë kontinentin.

Presidenti Meta falenderoi kryeministrin Armin Laschet për mikëpritjen dhe mbështetjen që i ka ofruar diasporës shqiptare në këtë land të rëndësishëm në integrimin e tyre në shoqërinë gjermane dhe kthimin e tyre në ura bashkëpunimi dhe faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Kryeministri Armin Laschet vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Ai u shpreh optimist për hapat e mëtejshëm drejt BE dhe siguroi për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në këtë process, vecanërisht të këtij landi me Shqipërinë.

/Ora News.tv/