Meta: Koha të besojmë tek rinia, të luftojnë për të ardhmen europiane

Meta: Koha të besojmë tek rinia, të luftojnë për

Presidenti, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij ne Pallatin e Brigadave ka kujtuar me nderim politikanët si Azem Hajdari, Arben Broci dhe Gramoz Pashko, të cilët ishin nismëtaret e Lëvizjes Studentore, lëvizje e cila solli rrëzimin e regjimit diktatorial.

Meta: As dhuna e as kërcënimet nuk e ndalën lëvizjen studentore, e cila në pak ditë u shndërrua në lëvizjen demokratike mbarëkombëtare që solli kapitullimin pa kushte të regjimit komunist, pikërisht këtu, ku jemi mbledhur sot, në “Pallatin e Brigadave”, sepse fuqia e studentëve dhe pedagogëve që ishin këtu me Azem Hajdarin në krye qëndronte tek shpërthimi i uraganit rinor dhe mbarëpopullor jo vetëm në Qytetin Studenti, por edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë.

Por, demokracia nuk do të ishte e lehtë. Çmimi i saj do të ishte i shtrenjtë, ndaj ne sot përulemi me respekt të thellë para veprës së Arben Brocit dhe shumë të tjerë, të cilët dhanë jetën e tyre për të mbrojtur dhe çuar përpara demokracinë në Shqipëri.

Lëvizja studentore dhe demokratike nuk do të kishte qenë aq e suksesshme dhe vizionare pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen e pedagogëve dhe intelektualëve progresistë të kohës.

Ndaj sot një nderim të veçantë e kemi për të gjithë ata pedagogë që janë këtu dhe që ndodhen në të gjithë botën. Një përulje të veçantë e kemi ndaj intetektualit guximtar Gramoz Pashko, i cili nuk mund të ndodhet dot midis nesh, por edhe shumë të tjerëve.

Kreu i Shtetit tha se është momenti të besohet te rinia. Gjithashtu ai u beri thirrje të rinjve të mos largohen nga vendi por të luftojnë për të kthyer në realitet endrrën e dhjetoristëve “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Meta: Është koha që t’i besojmë rinisë më tepër përgjegjësi nëpërmjet gjithëpërfshirjes së saj në realizimin e reformave që kërkon integrimi evropian e vendit

Vendit i duhet kontributi i rinisë për të çuar përpara reformën në administratën publike, për sistemin e drejtësisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Duhet të bëjmë gjithë përpjekjet tona për të ngjallur shpresat dhe për t’i hapur perspektivat rinisë shqiptare në vendin tonë të mrekullueshëm, sepse është e papranueshme që edhe sot pas 27 viteve shumë të rinj të aftë e të talentuar ta kërkojnë Evropën jashtë vendit të tyre.

Sot më tepër se kurrë Shqipëria ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të rinisë, për energjinë e saj dhe dijet bashkëkohore të saj dhe lidershipin e saj.

Një vend pa të rinj është si një familje pa fëmijë.

Ndaj 8 Dhjetori sot është, jo vetëm një ditë nderimi për studentët e Dhjetorit ‘90 dhe veprën e tyre, por është edhe ditë apeli për të gjithë të rinjtë e sotëm, që të mësojnë dhe të frymëzohen nga guximi, kurajoja dhe sakrifica e bashkë-moshatarëve të atyre të atëhershëm, në mënyrë që edhe ata të marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen evropiane të vendit tonë.

EMISIONET