Meta kërkon lobim nga Hungaria në BE për hapjen e negociatave

Meta kërkon lobim nga Hungaria në BE për hapjen e negociatave

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti Ilir Meta, ka kërkuar mbështetjen e këtij shteti për hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë.

Gjatë takimit kokë më kokë me homologun hungarez, János Áder, Meta kërkoi nga Budapesti lobim brenda BE-së për çeljen e negociatave.

Meta: "Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam edhe plotësimit të kushteve nga Shqipëria për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është periudha më e mirë për Bashkimin Evropian, por shpresojmë se në fund të këtij muaji të gjitha Vendet Anëtare të saj do të mbështesin çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Besoj se Hungaria do të kontribuojë në arritjen e konsensusit të nevojshëm brenda BE-së në këtë drejtim".

Presidenti hungarez Áder e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e Hungarisë, si në drejtim të integrimit evropian, ashtu edhe për nxiten e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Meta, nënvizoi faktin se bashkëpunimi ekonomik e tregtar duhet t’i përgjigjet marrëdhënieve të shkëlqyera politike.

Rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm.

Më tej ata u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe sfidat e kërcënimet me të cilat vendet e këtij rajoni po përballen.

EMISIONET