Paralelisht me nisjen e punës së Komisionit Hetimor që synon shkarkimin e tij, Presidenti i Republikës bëri me dije insistimin e tij se vetëm mbajtja e tre palë zgjedhjeve zgjidh përfundimisht krizën politike.

Kreu i Shtetit ja ka bërë të ditur dhe delegacionit të Komitetit Hebreo-Amerikan me qendër në Nju-Jork, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv,David Harris, se ilaçi më i mirë për të nxjerrë vendin nga konfliktualiteti politik është propozimi i tij.

"E njoha me situatën aktuale në Shqipëri, krizën e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, si dhe me propozimin tim për zgjidhjen e saj, nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli.I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithe ne".

Kreu i Shtetit e ka hedhur këtë ide ditë më parë edhe pse palët janë shumë larg uljes në bisedime.

Mazhoranca votoi me 30 qershor për zgjedhjet vendore, një proces që opozita e konsideroi farsë dhe për të cilin ka kërkuar materialet zgjedhore për të nxjerrë në dritë manipulimet e pretenduara.



/Ora News.tv/