Ka zgjatur rreth 30 minuta takimi konsultativ mes Presidentit Ilir Meta dhe aleatëve të Partisë Demokratike. Në përfundim, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se ishte një hap i vogël, por në drejtimin e duhur.

Shehi tha se data e re e zgjedhjeve do të vijë si pasojë një marrëveshje të madhe politike.

Shehi: Funksioni opozitar është përtej caktimit të datës zgjedhore. Ne gjykojmë që aksioni opozitar nuk mund të reduktohet vetëm në këtë situatën e ditës së zgjedhjeve. Ne gjykojmë që data e zgjedhjeve duhet të jetë derivat i një analize tjetër. Çfarë do të bëjmë deri në ditën e zgjedhjeve për ti bërë zgjedhjet e pranueshme nga pikëpamja e pretendimeve tona. Ne gjykojmë që dita e zgjedhjeve  do të derivojë nga mundësia e një marrëveshje të madhe politike në të cilën të merren në konsideratë pretendimet opozitare për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shehi e konsideroi takimin shumë pozitiv, por tha se marrëveshja i takon partive të mëdha.

Shehi: Ne nuk kemi tagër të mbyllim marrëveshje. Kjo i takon në radhë të parë Bashës dhe palës tjetër. Kështu që sot gjykojmë që është bërë një hap i vogël, por në drejtimin e duhur.  Data e zgjedhjeve nuk është një dëshirë. Do të dalë vetvetiu nga marrëveshjet politike. Nëse data e zgjedhjeve është një shtyrje thjesht për të shtyrë kohë, kjo nuk i mjafton opozitës.

Aleati i Bashës tha se Presidenti do të vazhdojë konsultimet edhe me partitë e tjera politike.

Shehi: Edhe presidenti nuk na thërriti për një propozim konkret. Do të vazhdojnë ditë negociatat. Meta do të presë të gjitha palët e tjera, të cilat kanë edhe peshë më tepër sesa grupimi jonë, si PS dhe PD.

Edhe pse e gjykon se palët janë më afër tashmë, ai thotë se nëse mazhoranca vazhdon me 30 qershorin,  opozita do të përgatitet për beteja të tjera.

Shehi: Nëse pala tjetër nuk ka luajtur mendsh që të vazhdojë me pretendimin e datës 30. Ndryshe të gjitha këto diskutime bien poshtë dhe s'kanë vlerë.

Unë gjykoj që jemi më afër, si atmosferë, por thashë nëse pala tjetër vazhdon pretendimin se në datën 30 do bëhen zgjedhjet, kjo që jemi mbledhur këtu s'ka më vlerë dhe do të bëhemi gati për beteja të tjera që nuk do të ishin të mira për Shqipërinë.  

Presidenti Meta i ka bërë ftesë dhe kryetarit të PS Edi Rama për bisedime, sikurse dhe kryetarit të PD Lulzim Basha. Ndërkaq negociatat pritet të vazhdojnë edhe të enjten me partitë e tjera.

Pas takimit me Metën, Milo: Zgjedhjet e njëanshme, kompromentojnë hapjen e negociatave


/Ora News.tv/