Ambasadorët e akredituar në Tiranë kanë zhvilluar për rreth dy orë një takim me presidentin Ilir Meta, ku është diskutuar mbi dekretin e anulimit të votimeve të 30 qershorit. Kreu i Shtetit ka theksuar se vendimi është i mbështetur në kushtetutë dhe se u është kërkuar palëve të gjejnë rrugën e dialogut.  Paralelisht me bisedimet presidenti ka marrë në dorëzim shkresën e KQZ ku saktësohet se parlamenti funksionon me 18 deputetë më pak nga sa e përcakton kushtetuta.

Dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nuk solli një marrëveshje mes PS dhe opozitës. Madje të premten do të nisin dhe protestat e radhës, ndërsa mazhoranca nisi procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit.

Për situatën e krijuar presidenti ilir Meta ka zhvilluar në pallatin e Brigadave një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë. Burimet kanë bërë të ditur se  përgjatë dy orëve është diskutuar mbi vendimin e Metës, por edhe rrugët për të dalë nga kriza politike.

Mësohet se kreu i shtetit ka theksuar para diplomatëve se dekreti për anulimin e votimeve është mbështetur në kushtetutë dhe qëllimi është gjetja e gjuhës së përbashkët mes palëve si dhe shmangia e konfliktit në 30 qershor.

Tensionet duket se do të shoqërojnë edhe këtë javë, ku një nga pikat e debatit është dhe mundësia e shpërndarjes së parlamentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje zyrtare presidentit Ilir Meta mbi numrin e mandateve në kuvend dhe shterimin e listave të kandidatëve të PD dhe LSI pas djegies së mandateve.

Në dokument thuhet se aktualisht parlamentit ka në përbërje 122 deputetë, nga 140 që është i përcaktuar në kushtetutë.

Situata ka vënë përballë edhe ekspertët konstitucionalistë një pjesë e të cilëve e shikojnë lëvizjen si një mundësi për shpërndarjen e kuvendit, ndërsa një pjesë tjetër theksojnë se kjo kompetencë nuk I takon presidentit, sipas kushtetutës.

/Ora News.tv/