Mësuesja me kancer i ankohet Ramës: Mungon herceptina, Drejtori s'më takon; Kryeministri: Ilaç i shtrenjtë!

Në takimin me qytetarë të Mirditës, kryeministri Edi Rama u përball me ankesën për mungesën e ilaçeve në sherbimin e  Onkologjikut në QSUT. 

Mësuesja e gjimanazit të Rrëshenit, Valbona Reçi, prej një viti e diagnostikuar me kancer të gjirit, denoncoi mungesën e ilaçit të herceptinës, jetik për jetën e këtyre pacientëve.

Reçi kërkoi ndërhyrjen e kryeministrit  Rama për këtë situatë, pasi siç tha ajo në gjendjen e saj janë edhe 130 persona të tjerë në shërbimin e Onkologjikut.

Në përgjigje Rama deklaroi se ky është një ilaç i shtrenjtë dhe mbulimi i plotë i rasteve nuk është ende i mundur.

Megjithatë ai shtoi se po shikohet zgjerimi  i hapësirës kohore të parashikimit dhe pagesës së ilaçeve. 

Rama: Do ta shtrijmë në më shumë sesa një vit. Nuk mund të financohet njësoj si librat e shkollës.Janë një mall që ka vlerën e jetës së njeriut brenda dhe nuk mund ti nështrohen logjikës së prokurorimeve.

Për situatën reagoi në fb edhe ish-Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili duke e bërë përgjegjës Ramën për këtë situatë.

Sipas tij, fondet që duhet të shkonin për ilaçe u harxhuan për koncesione hajdute.

Diskutimi 

Mësuesja: Quhem Valbona Reçi jam mësuese në gjimnazin Rrëshen dhe dua ta filloj me një falenderim të madh për investimin shumë serioz që është bërë në godinën e gjimnazit.Sot jam në këtë dëgjesë si qytetare për një hall timin personal. Ka rreth një vit që jam paciente në spitalin Onkologjik, jam diagnostikuar me kancerin e gjirit dhe gjatë kësaj periudhe kam kaluar disa faza në pavionin e kirurgjisë, kimioterapisë, të radiologjisë. Deri në këtë fazë gjërat po shkonin mbarë, ndjej respekt për atë staf por edhe keqardhje. Vazhdoj akoma kurën me një ilaç që quhet herceptinë. Është përcaktuar 18 herë që duhet ta marr në një afat çdo 21 ditë. Nga fundi i gushtit dhe deri tani duhet të kisha bërë 8 seanca. 

Kam bërë vetëm tre dhe kur pyes mjekët pse nuk e marr kurën në ciklin e caktuar më thonë mua dhe gati 130 të tjerëve nuk ka ilaç, është i shtrenjtë. Nuk dimë çfarë do të bëhet me ju. Më duket pak paradoks për faktin se çdo investim qoftë një rrugë apo qendër urbane apo një shkollë, Ujësjellës e ka një kosto dhe goxha të lartë faturën. Nuk mendoj se duhet të kemi këtë përgjigje nga stafi aty. Unë respektoj institucionin dhe hiearkinë dhe kam kaluar nga mjeku që më ka në vëzhgim tek shefja e pavionit, administratorja e spitalit, ajo e mëparshmja, jo kjo e reja që është ndryshuar së fundmi dhe kam marrë të njëjtën përgjigje: Nuk ka ilaç, është i shtrenjtë. 

Do thirresh kur të telefojmë. Kjo gjë nuk më duket e drejtë. Nuk mendoj se të gjitha këto investime që mund të bëhen do të ishin me vlerë nëse nuk do të investohej për shëndetin e qytetarëve. Kam shkuar nga gushti dhe deri dje ka qenë hera e fundit për tu takuar me drejtorin e përgjithshëm të QSUT, Enkelej Joti, dhe nuk kam arritur kurrsesi ta takoj. Një burokraci e paparë, me orë të tëra në zyrën e informacionit. 6 herë nuk ka denjuar as zotëria, as administrata të më takojë. 

Nga kush ka frikë ky zotëri, nga unë që jam një paciente që kërkoj ndihmë për të mbijetuar? Këtu fillojnë dyshimet që atje mund të abuzohet, që ju keni një realitet krejt tjetër përpara tryezës suaj. Ju siguroj, me bindje ju them që ky realitet i imi është e vërteta e vetme dhe vetëm ky realitet është i vërtetë. Të gjithë pacientët duhet ta marrin këtë kurë çdo 21 ditë. Jam shumë e bindur që të gjithë jemi të humbur në këtë histori. Ne si pacientë që nuk shërohemi, sepse të pish ilaçin sot me temperaturë dhe ta pish pas 10 ditësh kur të të marrin në telefon unë nuk mendoj se është efikas.

Janë të humbur taksapaguesit, është e humbur dhe qeveria që ka një buxhet të cunguar dhe janë miliona që hidhen në erë sepse unë nuk shërohem. Do të kërkoja me shumë besim tek ju që të ndërhyni në ndryshimin e këtij realiteti, të marrim kurën çdo 21 ditë ashtu siç është e përcaktuar si një shpresë të fortë për tu shëruar por edhe për të vazhduar jetën më tej.

Rama: E njoh shumë mirë situatën, këtë situatë për këtë kurë e kam shumë të qartë sepse kam marrë disa ankesa. Nuk është çështje e drejtorit të spitalit, sigurisht ai ka detyrë të takojë njerëzit që lënë takim, por nuk është çështje takimi. Mund ta kishit takuar drejtorin e spitalit por drejtori i spitalit nuk ka asnjë në dorë. Kjo është një çështje e fondit dhe sigurisht që mundësitë tona nuk janë të pakufizuara. Bëhet fjalë për kura shumë të shtrenjta. Ky nuk është justifikim.

Në këtë aspekt është bërë shumë. Ju keni një kohë të shkurtër që ju ka çuar halli në atë derë por gjithë ai pavion që siç ju e dëshmuat që ju ka shërbyer me dinjitet për një periudhë rë caktuar kohe është i gjithë një realitet i ri pasi deri para tre vjetësh ishte një katastrofë. Nuk bëhej fjalë fare për këto lloj debatesh, bëhej fjalë për çarçafë dhe xhama. Fondi i këtij viti është rritur goxha për të mundur që të mbulojmë më shumë nevoja. 

Këtu nuk është çështja se nuk është bërë një parashikimi, është bërë një parashikim që ka ardhur në rritje çdo vit por  rritja e rasteve dhe rritja e fluksit të këtyre rasteve në atë pavion është po ashtu e madhe. Më parë njerëzit aty shkonin në dëshpërimin më të madh dhe faktikisht merrnin vetëm kujdesin e mjekëve por nga pikëpamja e atyre instrumentave që janë shtuar atje dhe fondit që është shtuar me ilaçe nuk bëhej fjalë. 

Këtu është problemi. Ministria bën disa planifikime bazuar në statistika dhe brenda mundësive por mbulimi i plotë i rasteve është ende jo i mundur. Kjo është e vërteta. Me fondin e ri do të rrisim financimin edhe për këto kurat shumë të shtrenjta.Dhe ka dhe një gjë tjetër. Ka të bëjë me hapësirën kohore të parashikimit dhe pagesës së ilaçeve. Do ta shtrijmë në më shumë sesa një vit. Nuk mund të financohet njësoj si librat e shkollës.Janë një mall që ka vlerën e jetës së njeriut brenda dhe nuk mund ti nështrohen logjikës së prokurorimeve. 

Po bëhet plani i Ministrisë së Shëndetësisë për tre vjet dhe kështu ne  do të kemi mundësi të mos themi më mbaruan kuotat e këtij viti në gusht kështu që ju do të prisni të fillojë janari. Për ju do të fillojë tani.Në harkun e tre viteve këto të jenë të garantuara dhe planifikimi të bëhet për tre vjeçarin tjetër.Të kemi më shumë stabilitet në këtë aspekt,. 

Shembulli juaj është shembulli tipik për të thënë se nëse kthejmë kokën pas jemi në kushtet që kemi bërë shumë por nëse kthejmë kokën përpara jemi në kushtet që ajo që duhet bërë është akoma shumë.


EMISIONET