Mesazhi nga Berlini: Hartografët të mos përcaktojnë kursin e historisë

Mesazhi nga Berlini: Hartografët të mos përcaktojnë kursin e

Serbia dhe Kosova nuk kanë të njëjtën peshë për sa i përket subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar. Çdo proces, që mund të jetë i natyrshëm për sa i përket demarkimit të kufijve (siç ishte rasti me Malin e Zi), mund të bëhet vetëm pasi dy shtetet të njohin njëra-tjetrën dhe të pranojnë që të zbatojnë disa rregulla detyruese të së drejtës ndërkombëtare

“Mjedisi i lirisë”, siç e përkufizonte Dean Acheson situatën e krijuar nga rendi i ri ndërkombëtar bazuar në vlerat e demokracisë liberale dhe respektin për pakicat është më i sfiduar se kurrë. Kriza e besimit po shfaq simptomat e saj me krizën ndaj multilateralizmit që po shoqërohet nga trysnia ndaj vlerave të demokracisë liberale, universalizimit të të drejtave të njeriut dhe banalizimi i gjuhës së urrejtjes.

Mjedisi i sigurisë është gjithashtu i brishtë, saqë është gjithnjë e më e vështirë të planifikosh zgjidhje mbi bazën e parimeve të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare. Kjo situatë ka ndikimin e vet edhe në këtë kënd të Evropës, ku jemi ende larg pajtimit të mirëfilltë mes popujve e të menduarit bashkërisht për të ardhmen. E kaluara jo e largët e konflikteve politike, e kombinuar me mungesën e kulturës së shtetndërtimit demokratik dhe me një hendek të madh zhvillimor nga pjesa tjetër e Evropës vë përballë sfidave të pazakonta shoqëritë tona.

Në Ballkanin Perëndimor kemi tri lloj mosmarrëveshjesh, të cilat nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën. Natyra e parë e mosmarrëveshjeve e ka origjinën tek Lufta e Dytë Botërore, siç është për shembull rasti i Shqipërisë me Greqinë. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Greqia ka vendosur një ligj luftë ndaj Shqipërisë, ligj që prodhon efekte edhe sot pavarësisht se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s. Të dyja vendet po trajtojnë në një paketë çështje që burojnë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot.

Natyra e dytë e mosmarrëveshjeve e ka origjinën te shpërbërja e ish-Jugosllavisë, siç është për shembull rasti i Sllovenisë dhe Kroacisë; Kroacisë dhe Malit të Zi; Bosnjës dhe Serbisë; Kroacisë dhe Bosnjës, që kryesisht kanë lidhje me çështje kufitare dhe trajtimin e pasojave të luftës.

Natyra e tretë e mosmarrëveshjeve ka lidhje me subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar, siç është rasti i Kosovës apo funksionaliteti i Bosnjë- Hercegovinës.

Henry Kissinger, në librin e tij “Rendi Botëror” shpjegon se nuk duhet të ngatërrojmë dijen me përmbytjet informative e për më tepër me urtësinë. Dija kërkon fakte të verifikueshme që vijnë nga shembujt e praktikës. Urtësia kërkon eksperiencë dhe gjykim të kthjellët.

Këshilla e Kissingerit na ndihmon për t’i dhënë përgjigje edhe spekulimit për të barazuar mosmarrëveshjet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë me ato mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria dhe Greqia janë të dyja subjekte të së drejtës ndërkombëtare, janë vende anëtare të OKB-së. Protokolli i Firences i 1925, i nënshkruar mes të dy vendeve nën garancinë e Fuqive të Mëdha të kohës përcakton pikën e nisjes se ku dhe se si palët mund të fillojnë delimitimin e hapësirës detare. Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të Konventës së OKB-së mbi të drejtën e detit (UNCLOS), e cila përcakton qartë metodat që palët zgjedhin për të kryer këtë proces. Kombinimi i këtyre metodave prodhon rezultatin final në praktikë.

Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën. Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konsideruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Serbia dhe Kosova nuk kanë të njëjtën peshë për sa i përket subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar. Çdo proces, që mund të jetë i natyrshëm për sa i përket demarkimit të kufijve (siç ishte rasti me Malin e Zi), mund të bëhet vetëm pasi dy shtetet të njohin njëra-tjetrën dhe të pranojnë që të zbatojnë disa rregulla detyruese të së drejtës ndërkombëtare.

Prandaj është e rëndësishme që kur analizojmë mënyrën se si konflikte të ndryshme mund të kthehen në mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet, duhet të kemi parasysh faktet e mirënjohura në aspektin historik dhe ato që na ofron e drejta ndërkombëtare.

Ndryshe nga sa më sipër, shoqërive tona gjatë vitit të fundit iu parashtruan idetë e hartografëve të shekullit XIX si “çelës magjik” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Këto ide alarmuan thuajse të gjitha vendet e rajonit, udhëheqësit e të cilit vizituan menjëherë Berlinin për të shprehur pasigurinë nga pasojat që mund të sillte zbatimi i një projekti të tillë në praktikë. Është kjo arsyeja pse formati i nismës së fundit gjermano-franceze përfshiu në një takim të nivelit të lartë të gjitha vendet që lindën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, plus Shqipërinë. Për pasojë, fokusi i takimit nuk ishte as procesi i zgjerimit në BE e as ecuria e agjendës zhvillimore të përvijuar në kuadër të Procesit të Berlinit, por siguria dhe stabiliteti rajonal.

Si për rastësi, ky takim u zhvillua në të njëjtën javë teksa 10 vendet e ish- bllokut komunist kremtuan 15-vjetorin e anëtarësimit në BE. Anëtarësimi i tyre në BE simbolizon “takimin e historisë me gjeografinë” duke shënuar një arritje strategjike për procesin e papërfunduar të ribashkimit të kontinentit. Ndërsa mesazhi kryesor i takimit të Berlinit ishte pikërisht e kundërta e kësaj: që hartografët të mos përcaktojnë kursin e historisë.

(Autori është deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe ish-ministër i Jashtëm. 

Shkrimi është dërguar për botim ekskluziv në “Koha Ditore”)

EMISIONET