Ambasada amerikane i ka dhënë sërish mbështetje të pa kursyer reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Zv shefja e misionit në Tiranë, Leyla Moses-Ones u shpreh se kritikët e reformës në drejtësi gabohen pasi proçesi po vazhdon në rrugën e drejtë. Diplomatja amerikane tha se falë kësaj reforme shqiptarët do të kenë shumë shpejt sistemin gjyqësor që meritojnë.

''Kushdo që mendon se Reforma në Drejtësi ka dështuar, e ka gabim''. Ky ka qenë mesazhi i fortë i të ngarkuarës me punë të Shteteve të Bashkuara në tiranë, Leyla Moses-Ones, e cila ka theksuar se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe se duhet të vijojë të forcojë standartin e sundimit të ligjit.

Nuk dihet nëse deklarata ishte një mesazh për kritikët, skeptikët apo kundërshtuesit e Reformës në Drejtësi, por Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e ka të qartë se ecuria e reformimit të sistemit gjyqsor është në rrugën e drejtë. Sipas të ngarkuarës me punë të SHBA-së, Leyla Moses-Ones kushdo që thotë se Reforma ka dështuar apo është kompromentuar, ka një mendim të gabuar.

"Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur dhe shumë shpejt do t'u japë shqiptarëve sistemin gjyqësor që ata meritojnë. Por, për këdo që mendon se refoma është kompromentuar apo ka dështuar, unë kam një mesazh për ta. Ju e keni gabim,"- shprehet Leyla Moses-Ones.

Gjatë një konference të organizuar në 70-vjetorin e themelimit të NATO-s dhe në 10-vjetorin e antarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë, Moses-Ones u shpreh se përvec parimeve të mbrojtjes kolektive, aleatët ndajnë edhe vlerat e demokracisë dhe lirisë. 

Në këtë pikëpamje, e ngarkuara me punë e SHBA-së kërkoi që Shqipëria të vijojë rrugën në përmirësimin e standartit të sundimit të ligjit si dhe proceseve të tjera. Lidhur me situatën rajonale dhe globale, Moses-Ones u shpreh se NATO është një faktor stabiliteti në Ballkan ndërsa cilësoi si rreziqe ekzistente praninë e faktorëve të tretë, e më kryesisht Rusisë dhe Iranit.

/Ora News.tv/