Merr fund odiseja e emigrantëve, hapet proces hetimi

Pas 8 ditësh qëndrimi në ujërat e Mesdheut, 234 emigrantët e shpëtuar në det nga anija Lifeline e një organizate humanitare gjermane kanë mbërritur gjatë mbrëmjes së djeshme në portin e Valletas në Maltë.

Pas vendimit të qeverisë italiane për mbylljen e porteve, kjo anije mbeti për shumë ditë në pritje të një porti për t'u zbarkuar.

Anija Lifeline u bë motivi i një tensioni të ri politik mes Italisë dhe Francës si dhe objekt diskutimi mes vendeve anëtare të BE mbi problematikën e fluksit të madh emigrator që ka pushtuar Europën.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka akuzuar anijen Lifeline si të paligjshme e pa flamur lundrues e cila lundron në ujërat e Mesdheut në marrëveshje me trafikantët e qënieve njerëzore. 

Pas mbërritjes në portin e Valletas, komandanti i kësaj anije Carl Peter Reisch dhe 9 anëtarët e ekupazhit janë marrë në pyetje nga autoritetet malteze. 

Malta ka hapur një proces hetimor ndaj kësaj anije e cila nuk iu bind urdhërit të rojes bregdetare italiane dhe komandanti Carl Peter Reisch rrezikon një urdhër ndalimi nga drejtësia malteze.

234 emigrantët të mbërritur në portin e Maltës do të shpërndahen në 8 vende të ndryshme të Europës si në Itali, Holandë, Irlandë, Portugali, Francë, Maltë, etj por jo në Gjermani, vendi të cilit i përket organizata humanitare për të cilën vepronte anija Lifeline.

Kryeministri maltez ka deklaruar se azilkërkuesve të vërtetë të kësaj anije do t'i jepet mbrojtja e nevojshme e përcaktuar nga e drejta ndërkombëtare, ndërsa për të gjithë ata emigrantë që nuk plotësojnë kërkesat e azilkërkuesve do të nisin procedurat e dëbimit të përcaktuara nga normativa europiane.

Ndërkohë qeveria italiane vazhdon bashkëpunimin me autoritetet e Libisë dhe i ka dhuruar 12 anije të vogla ushtarake për të patrulluar brigjet libiane.

EMISIONET