Merkel përcjell me “brengosje të madhe” debatin për kufirin Kosovë-Serbi

Merkel përcjell me “brengosje të madhe” debatin për

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se po përcjell me “brengosje të madhe” debatin rreth ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kancelarja Merkel, ka theksuar se “edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju, po e përcjell me brengosje të madhe”.

Kreu i LDK-së i ka nisur një shkresë Merkelit më 28 shtator, përmes së cilës e ka njoftuar atë me qëndrimet e tij rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave Merkel ka deklaruar se konsultimet e shteteve anëtare të BE-së për këtë temë “janë duke vazhduar”.

”Unë jam e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar”, ka thënë Merkel në letrën dërguar Mustafës, thuhet në një komunikatë për media të LDK-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë, kohët e fundit ka prezantuar idenë e tij për ndryshimin e kufirit , apo siç e quan ai “korrigjimin” e tij.

Sipas Thaçit, “korrigjimi” i kufirit nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.

Kancelarja Merkel edhe në të kaluarën është deklaruar kundër idesë së Thaçit për kufijtë.

/REL/ 

EMISIONET