Kancelarja gjermane Angela Merkel iu përgjigj akuzave të presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me ndikimin rus mbi Gjermaninë. Merkel thotë se Gjermania bën politika dhe vendime të pavarura. Presidenti Donald Trump dhe kancelarja Merkel do të takohen sot në samitin e NATO-s.

Trump sulmoi publikisht dhe me forcë Gjermaninë në fillim të takimit vjetor të NATO-s në Bruksel, për shkak të mbështetjes së saj ndaj marrëveshjes me Rusinë për gazsjellësin e Detit Baltik, duke e akuzuar Gjermaninë se është "peng" i Rusisë.

Gjatë një takimi të "nxehtë" në mëngjesin e së mërkurës me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti Trump tha se Gjermania i paguan miliarda dollarë Rusisë dhe "ne duhet ta mbrojmë nga Rusia".

Presidenti Trump tha gjithashtu se është "shumë e pavend" që Shtetet e Bashkuara po paguajnë shumë më tepër për të mbrojtur Evropën sesa anëtarët e tjerë të NATO-s, duke përsëritur ankesën e vazhdueshme të ngritur gjatë ditëve të fundit qoftë në fjalime apo në rrjetin social tëitter.

Ai kërkoi që vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë para për aleancën mbrojtëse që ishte shtylla e bashkëpunimit ushtarak perëndimor pas Luftës së Dytë Botërore.


/Ora News.tv/