Melgushë-Mjedë, Gjiknuri e Bushati inspektojnë punimet për rritjen e sigurisë rrugore

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bashkë me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor, Afrim Qendro inspektuan investimet që po kryhen në segmentin rrugor Melgushë-Mjedë.

Në të gjithë gjatësinë prej 7 kilometrash të kësaj rruge po ndërhyhet për vendosjen e sinjalistikës rrugore dhe masave të sigurisë rrugore. Ministri Gjiknuri vuri theksin tek gatishmëria e qeverisë për t'ju përgjigjur menjëherë kërkesave të komunitetit për ato akse rrugore ku shfaqen problematika.

 Gjiknuri: Këtu jemi në një segmentet që ka të bëjë me rritjen e sigurisë rrugore, përmirësimi i sinjalistikës që është pjesë e programit të mirëmbajtjes që ka nisur qeveria shqiptare këtë vit nga veriu deri në jug. Këtu në Qarkun e Shkodrës po adresojmë disa segmente rrugore shumë të rëndësishme për qytetarët. Praktikisht, kjo është një nga rrugët që edhe në përgjigje të sensibilitetit të komunitetit po vendosen barrierat mbrojtëse dhe gjithë pjesa e sigurisë. Ky proces do të përmbyllet shumë shpejt dhe do të kemi një rrugë brenda standardeve të kërkuara.

Ndërkaq, ministri Bushati u shpreh se kjo ndërhyrje në infrastrukturë është në vazhdën e të tjera investimeve që qeveria ka ndërmarrë edhe për Bashkinë e Vaut të Dejës.

Bushati: Ky investim i qeverisë shqiptare për këtë rrugë është në vazhdën e investimeve që qeveria ka krijuar në Bashkinë e Vaut të Dejës. Po kompletojmë edhe pjesën e sigurisë rrugore që shpresojmë shumë që do të rrisë cilësinë e kësaj rruge dhe do të minimizojë në maksimum aksidentet sepse kjo rrugë siç shihet deri më sot ka qenë e pambrojtur dhe burim aksidentesh.

Gjatë ndërhyrjes në Melgushë-Mjedë parashikohet që të kryhet riparimi i shtresave asfaltike në pjesët e dëmtuara; vendosja e sinjalistikës rrugore dhe masave të sigurisë rrugore në gjatësinë e rrugës, vizimi i ri termoplastik, instalimi i barrierave mbrojtëse, instalimi i delineatorëve, rifreskimi i sinjalistikës horizontale e vertikale ashtu sikurse riparimi i kanaleve të drenazhit.

EMISIONET