Festat e fundvitit i kanë lejuar futbollistëve të bëjnë disa ditë pushimi.

Një nga lojtarët më të vlerësuar në kombëtaren shqiptare ështe Mërgim Mavraj, ndërsa për të rifituar forcat dhe për të ndihmuar Hamburg-un në luftën për mbijetesë, mbrojtësin ka zgjedhur Mekën, vend që sipas tij është i vetmi që i sjell qetësinë.

Në një intervistë për gazetën prestigjoze "Bild", Mërgim Mavraj ka folur rreth eksperiencës që po kalon tek gjermanët e Hamburg ndërsa u shpreh se me transferimin te kjo skuadër ka bërë zgjedhjen më të mirë.

"Fillimi i eksperiencës time te Hamburgu ishte mjaft i veçantë. Jemi rritur si ekip dhe kemi bërë gjëra të mira. Asnjëherë tjetër në karrierën si profesionist nuk kam ndjerë kaq shumë besim nga trajneri dhe klubi ndaj meje. E nisëm mjaft mirë sezonin, por më tej nisi rënia. Unë kisha probleme shëndetësore me brinjët, ndërsa edhe ekipi pati probleme me të cilat lidhet ecuria me tetë ndeshje pa fitore. Pavarësisht kësaj, vendimi për t’iu bashkuar Hamburgut është ai i duhuri, në aspektin personal ashtu edhe në atë sportiv. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi ku kanë luajtur shumë emra të mëdhenj”,- deklaroi Mavraj.

Pavarësisht se skuadra nga veriu i Gjermanisë qëndron në zonën e rënies nga kategoria, mbrojtësi i kombëtares shqiptare beson se ekipi do ia dalë të qëndrojë në Bundesligë.

"Mbijetesa nuk është çështje për jetë a vdekje, por është e rëndësishme sepse njerëzit e ndjejnë shumë dhe kemi përgjegjësi ndaj tyre. Më jep shpresë mënyra se si luajmë. Pavarësisht se rezultatet nuk kanë qenë të mira, e kemi ruajtur qëndrimin tonë dhe kemi qenë një skuadër e bashkuar edhe në situatat më të pashpresa”,- përfundoi mbrojtësi shqiptar i Hamburgut.

/Ora News.tv/