Mega-aeroporti i Stambollit

Mega-aeroporti i Stambollit

Presidenti Erdogan inaguroi të hënën (29.10) projektin e tij prestigjioz. Aeroportin e ri të Stambollit që do të jetë një ditë më i madhi në botë. Po për këtë projekt gjigand është paguar një çmim i lartë.

Jo çdo gjë ishte gati ditën e inagurimit të aeroportit të Stambollit të hënën (29.10.). Kadri Samsunlu është megjithatë i kënaqur. Ai drejton shoqërinë e aeroportit, IGA. Të dhënat kryesore të projektit në momentin e inagurimit: Dy nga gjashtë pistat e zbritjes dhe fluturimit janë gati, edhe kulla në formë elegante tulipani, 225.000 vende pune do të krijojë ky aeroport, deri në vitin 2025 ai do të kontribuojë rreth 5% për prodhimin e përgjithshëm bruto të Turqisë. "Këtë e kemi bërë me paratë turke, me punëtorë turq, me dijen turke", thotë Samsunu. "Kjo na jep shumë vetëbesim. Kur shoh rreth e rrotull, jam krenar. Ia kemi dalë mbanë."

Për afër katër vjet, Samsunlu dhe kolegët e tij kanë arritur të ngrenë në këmbë një projekt kolosal, Berlini mund vetëm të ëndërrojë për një gjë të tillë, aeroporti i tij ende pret hapjen pas 12 vjetësh në ndërtim

200 milionë pasagjerë në vit

Dimensionet e aeroportit të ri të Stambollit janë gjigande. Me 76 milionë metra kuadrat sipërfaqe të përgjithshme ai është tre herë më i madh se aeroporti i Frankfurtit. Që nga çelja e tij, ai është më i madhi në Europë, me 90 milionë pasagjerë në vit. E kjo është faza e parë e katër etapave. Pas 10 vitesh ky aeroport do të mundësojë lëvizjen e 200 milionë pasagjerëve në vit. Sipas Samsunlu janë investuar deri më tani 7,5 miliardë euro.

Aeroporti i ri shihet si projekti më i dashur i presidentit turk, Erdogan dhe simbol i ngjitjes së Turqisë në fuqi ekonomike globale. Erdogan kërkon ta kthejë Stambollin në nyjen më të rëndësishme ajore mes Europës, Azisë dhe vendeve arabe. Por aktualisht ekonomia turke është në krizë, lira ka humbur shumë në vlerë, inflacioni është në rritje. Megjithatë Erdogan e nxiti ngritjen e aeroportit dhe inagurimin e tij në 95-vjetorin e themelimit të Republikës.

Prestigj me çmim të lartë

Por suksesi i një projekti të tillë ka edhe anën e vet të errët. Sipas raportimeve në media, fshatarët turq janë shpronësuar me detyrim. Ambientalistët turq kritikojnë, prerjen e drurëve në hapësira të mëdha pyjore, pra shkatërrimin e mushkërisë së gjelbër të Stambollit. Punëtorët që punuan për ngritjen në kohë rekord të aeroportit raportojnë për kushte të tmerrshme pune: mungesa në sigurinë e punëtorëve, aksidente me vdekje, ushqim i keq, probleme me pagesat.

"Na kanë trajtuar si skllevër", thotë Cemal Özder që ka punuar 9 muaj në aeroport. "Kemi filluar në mëngjes në orën 8:00 dhe kemi ndalur së punuari shpesh deri në orën 23:00. Disa thonë, se duhet të punonin gjithë natën, dhe të paraqiteshin megjithatë për punë të nesërmen në mëngjes. Gjithmonë na bënin presion, më shpejt, më shpejt, duhet të mbaroni punë." Kur ai i kritikoi publikisht problemet me punëtorët, u shkarkua, rrëfen Özder që angazhohet në sindikatën turke për të drejtat e punëtorëve të aeroportit.

Greva, protesta, të vdekur

35.000 vetë kanë punuar në kantierin e ndërtimit të aeroportit nga fillimi i punimeve. Siguria e punës dhe masat e sigurisë linin shumë për të dëshiruar, thotë Cemal Özder. Të paktën 38 vetë kanë humbur jetën, sipas të dhënave të sindikatave. Disa burime bëjnë fjalë për disa qindra të vdekur. Ndërsa qeveria dhe shoqëria e aeroportit për 30 të vdekur.

Në Shtator mijëra punëtorë hynë në grevë, pas një aksidenti me një autobus ku u lënduan 17 vetë. Edhe në këtë aksident ka pasur të vdekur. "Mund të jetë aeroporti më i madh në botë, por për mua në këtë projekt ka mbetur gjaku i punëtorëve", thotë Cemal Özder.

Drejtuesi i aeroportit, Kadri Samsunlu pranon se ka pasur probleme gjatë realizimit të projektit, por këto janë zgjidhur, sipas tij. "Punëtorët kanë kërkuar ndryshime, dhe ne kemi reaguar pas kësaj. Mendoj, se furnizimi është më i mirë tani, dhe me këtë problemi është zgjidhur, sipas meje. Punëtorët janë të lumtur."

Puna fillon në vitin 2019

Samsunlu thotë se dëshiron të shohë përpara e jo pas. Ka shumë për të bërë në këtë aeroport edhe pas hapjes zyrtare të tij. Zhvendosja e planifikuar e aeroportit aktual Atatürk do të kryhet në fund të vitit. Në janar 2019 pritet që aeroporti të fillojë tërësisht nga puna, deri atëherë pritet që të ketë simbolikisht vetëm 5 fluturime në ditë. Edhe lidhja hekurudhore mungon. Aeroporti është 50 kilometra larg qendrës, ndërsa linja e metrosë pritet të përfundojë në vitin 2020. Madje edhe emri i mungon aeroportit të përmasave XXL. Sipas spekulimeve ai mund të mbajë emrin e sulltanit të fundit të perandorisë osmane, Amdylhamidit të II, ose madje edhe vetë emrin e presidenti Erdogan.

/DW/


EMISIONET