Athina dhe Shkupi duket se kanë rënë dakord për emrin me të cilin do të pagëzohet fqinji verior i Greqisë, pagëzim që do t’i japë fund mosmarrëveshjes  28 vjeçare ndërmjet të dy vendeve.

Sipas medias greke, ky emër do të jetë Republika e Maqedonisë Veriore, ndërsa mbetet të sqarohet nëse shkrimi do të bëhet në trajtën sllave apo anglishte.

Kështu bën me dije portali in.gr, sipas të cilit emri “u kyç” në bisedën telefonike që zhvilluan të hënën dy kryeministrat, Tsipras e Zaev.

Pikat e tjera të marrëveshjes kanë të bëjnë me gjuhën, nacionalitetin, ndryshimin e kushtetutës, si dhe afatet kohore për këto ndryshime, por edhe të tjera.

Gjithashtu, në marrëveshje do të thuhet qartë se emri do të jetë "erga omnes", për t’u shmangur mundësia e një emërtimi të dyfishtë, tjetër për jashtë vendit dhe thjesht Maqedoni brenda territorit të shtetit. Letërnjoftimet dhe pasaportat do të ndryshohen që të shkruhet emri i ri.

Nëse gjithë këto nuk janë spekulime mediatike, atëherë Athina dhe Shkupi janë shumë afër finalizimit të marrëveshjes.

Nëse kjo ndodh vërtet, atëherë dy kryeministrat do të takohen në zonën e Prespës, për të hedhur nënshkrimet historike.

Marrëveshja pastaj duhet ratifikuar nga të dy parlamentet, me qëllim që në fund të këtij muaji Maqedonisë t’i bëhet ftesa për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe në korrik, ftesa për anëtarësim në NATO.

/Ora News.tv/