Protesta për largimin e Xhafajt, të rinjtë e PD dhe LSI ekspozitë me meme

Protesta për largimin e Xhafajt, të rinjtë e PD dhe LSI

Të rinjtë e FRPD dhe LRI nuk i kanë ndalur protestat as këtë të mërkurë. Poshtë zyrës së Xhafajt ata shpërndanë disa meme për të treguar sipas tyre favorizimin që Rama po u bën Ministrave të qeverisë. Protestuesit përsëritën se Rama, Tahiri dhe Xhafaj po pengojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Edhe kjo e mërkurë i gjeti të rinjtë e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim poshtë zyrës së Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke kërkuar dorëheqjen e këtij të fundit.

Për të treguar sipas tyre favorizimin që kryeministri Edi Rama po iu bën Ministrave të qeverisë, ata vendosën disa meme të realizuara nga të rinj që nuk janë të përfshirë në politikë dhe të publikuara në rrjetet sociale.

Ata u shprehën se Rama, Tahiri dhe Xhafaj po pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë.

Belind Këlliçi: I bindur të jetë Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri dhe të gjithë shpura e Rilindjes se protestat e të rinjve do të vijojnë çdo ditë e më shumë. Ne do të vijojmë të dalim për të protestuar për një të drejtë që na takon, për një ëndërr të madhe të gjithë të rinjve, të prindërve tanë,të gjithë qytetarëve që duan të rrinë në Shqipëri dhe nuk duan një Shqipëri me kanabis, drogë dhe korrupsion. Është për të ardhur keq që në 2018 ne ende vijojmë me thirrjen: E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Protestat e të rinjve të PD dhe LSI vijnë pas tubimit të 27 majit ku opozita kërkoi largimin e Ministrit Xhafaj, me pretendimin se vëllai i tij është implikuar në trafikun e lëndëve narkotike.

EMISIONET