Pushimet tek gjyshërit, mbetet në çdo kohë një prej alternativave më të mira për fëmijët në këto ditë të nxehta vere, krahas plazhit apo aktiviteteve që u ofrohen në qytetet ku jetojnë. Por për një 4 vjeçar që është rikthyer në Gjirokastër për herë të parë pas dy viteve qëndrim në Angli ku do të vazhdojë të jetojë me familjen e tij, janë një përvojë gati unike. Ai po i gëzohet në qytetin e gurtë lojërave tradicionale në ambient të hapur me bashkëmoshatarët nëpër sokakët e gurta të qytetit, ku edhe prindërit ndjehen të sigurtë.

Ky është Joni Shehu. 4 vjeç.  Dy vjet me parë familja e tij u vendos në Angli, dhe kjo është hera e parë që ai kthehet pranë gjyshërve në Gjirokastër.

Ditët e para e ka pasur të vështirë të ambientohet.

Por kur ka kaluar më shumë një muaj nga rikthimi në vendlindje, Joni thotë se po i pëlqejnë pushimet tek gjyshërit.

Ai tashmë ka krijuar shoqëri me fëmijët e tjerë dhe i gëzohet mundësisë për të luajtur në ambient të hapur pa praninë e prindërve, privilegj që në Angli nuk mund ta gëzojë.

Në Gjirokastër, veç dashurisë së gjyshërve, Joni ka gjetur edhe miqësinë e shumë bashkëmoshatarëve.

Amarda Rerza, është bërë shoqja e tij e ngushtë gjatë pushimeve.

Ata argëtohen duke krijuar lojëra të reja çdo ditë, për të qëndruar sa më larg teknologjisë që gjithmonë e më shumë po merr kohë edhe nga ajo e fëmijëve.

Pas pushimeve, Joni do të kthehet në Angli, ku do të nisë shkollë, por siç tregon e ema, Marta, qëndrimi në Gjirokastër pranë gjyshërve ka krijuar tek i biri kujtime që sipas saj do të mbeten gjatë.

Në fund të gushtit, Joni 4 vjeçar dhe familja do të udhëtojnë drejt Anglisë, me kujtimet e ëmbla të pushimeve tek gjyshërit në Gjirokastër.

/Ora News.tv/