Bojkot e protesta për shkollën, banorët e Mengëlit bllokojnë rrugën Librazhd-Elbasan

Bojkot e protesta për shkollën, banorët e Mengëlit

Nxënës e prindër të fshatit Mengël bllokuan rrugën Elbasan-Librazhd në kuadër të protestave që po zhvillojnë prej ditësh për rihapjen e shkollës së fshatit. Godina aty është kyçyr dy vjet më parë pasi cilësohet e rrezikshme dhe kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, u tregua i vendosur se nuk do lejojë hapjen e shkollës që mund të rrezikojë jetët e fëmijëve.

Në ditën e 7 të bojkotit të mësimit,  nxënës e prindër të fshatit Mengël përshkallëzuan protestën duke bllokuar aksin nacional Elbasan-Librazhd.

Për pasojë, dhjetra makina mbetën të bllokuara për disa minuta, gjatë të cilave nuk munguan as momentet e tensionit.

Nxënës e prindër kërkojnë rihapjen e shkollës 9 vjeçare të fshatit të mbyllur rreth dy vjet më parë, pasi është cilësuar e rrezikshme nga Emergjencat Civile pas lëkundjeve sizmike në Elbasan.

"Ka nja dy-tre plasje, siç plasin të gjithë sovatimet Asgjë tjetër nuk ka".

"Pretendojmë se shkolla është e shitur".

Janë rreth 300 nxënës që kanë bojkotuar mësimin prej nisjes së vitit shkollor pasi të mbështetur nga prindërit nuk pranojnë që ta vijojnë shkollën turn i dytë në Elbasan.

"Nuk duam gjë tjetër, vetëm të arsimohemi, shkollën tonë.Shkolla është për bukuri".

Ata hartuan një peticion përmes të cilit i kërkuan bashkisë Elbasan rihapjen e shkollës.

Por kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, në një dalje të posaçme u tregua i prerë në vendimin që shkolla nuk do të hapet pa u rikonstruktuar, për të mos rrezikuar jetën e nxënësve, ndaj kërkoi që çështja të mos politizohet.

Sejdini: Ata do të vazhdojnë të bëjnë politikë, le të vazhdojnë.Duan ti lënë nxënësit pa shkollë, le ti lënë.Unë nuk fus fëmijë të vdesin në shkollë. I kam bërë kërkesë MAS, ua paraqita në Këshill, ju thoni do të shitet.Si do shitet shkolla?

Bashkia Elbasan tha se do të vijojë të garantojë transportin falas të fëmijëve për në shkollat e qytetit që janë 3 km larg, por banorët nga ana e tyre kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestën deri në hapjen e shkollës.

Ndërkohë, policia e Elbasan thotë se protesta e banorëve të Mëngëlit ishte pa leje, ndaj pritet që organizatorët të procedohen penalisht.


EMISIONET