Ekonomia shqiptare pritet të përfitojë nga mbyllja e lojërave të fatit. Ish-Ministri i Financave, Arben Malaj, shpjegon se paratë që përdoreshin në pika bastesh, tashmë do të trasformohen në më shumë blerje për familjet.Ndërsa përsa i përket idesë së shtetëzimit, Malaj thotë se është një zgjidhje e mirë pasi forcon kontrollin.

Mbyllja e lojërave të fatit në Shqipëri do të ndikojë në rritjen e konsumit të familjeve dhe si rezultat do të japë efekte pozitive edhe në ekonomi.

Arben Malaj, ish-Ministër i Financave, argumenton se të gjitha paratë që deri më tani liheshin në pika bastesh do të përdoren tashmë për një qëllim tjetër.

Malaj: Impakti i parë pozitiv dhe social, lojtarët e mëdhenj do të shkojnë dhe të lozin në vendet fqinje, ndërsa lojtarët e vegjël që shpërdoronin paratë e familjeve të tyre që duhet të ishin për një ushqim më të mirë, arsim më të mirë, shërbim shëndetësor më të mirë. Në aspektin ekonomik përkohësisht do të kemi një shqetësim të krijuar nga numri i papunëve, por edhe mbyllja e një aktiviteti ekonomik të një sipërfaqeje të konsiderueshme ku sot janë të vendosura këto lojëra fati që do të mbyllen. Duhet një trajtim i veçantë sidomos për të papunët dhe pastaj pse jo dhe politika nxitëse që ata që i kanë këto prona ti futin sa më shpejt në qarkullim ekonomik.

Përsa i përket idesë së shtetëzimit të pikave të basteve, Malaj e argumenton si një nismë që do rriste kontrollin ndaj këtyre subjekteve.

Malaj: Është një alternativë që duhet parë, vepron në shumë shtete dhe në një mënyrë apo tjetër i orienton lojtarët në një lojë që është në një kontroll të plotë shtetëror, nuk nxitet nga fitimet abuzive dhe brenda saj ka fitues dhe shumë humbës.

Ligji për mbylljen e lojërave të fatit tashmë është miratuar në parlamentin e Shqipërisë dhe tashmë pritet që të marrë edhe dekretin e presidentit Ilir Meta.




/Ora News.tv/