Ministrat e jashtëm të Greqisë e Shqipërisë Kotzias e Bushati kanë përfunduar takimin triditor në Kretë dhe kanë fluturuar së bashku drejt Athinës.

Në përfundim të takimit ata kanë hartuar një deklaratë të përbashkët, ku flitet me terma të përgjithshëm se është bërë një punë esenciale në drejtim të zgjidhjes së problemeve të hapura dypalëshe.

Në deklaratë nuk flitet konkretisht mbi çështjet e debatueshme që karakterizojnë marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës, por vetëm
thuhet se takimi i Kretës ishte një hap i rëndësishëm përpara.

Takimi tjetër në Shqipëri

Ndërkohë, të dy ministrat kanë rënë dakord për një takim tjetër, me format të ngjashëm, që do të mbahet muajt e ardhshëm në Shqipëri.

I gjithë teksti i deklaratës është si më poshtë

"Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe të Shqipërisë, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, realizuan bisedime në Kretë, më 10-12 nëntor 2017, bisedime që u fokusuan në çështjet e hapura dypalëshe.

Gjatë bisedimeve që u realizuan në një mjedis miqësore dhe konstruktive, u bë një punë esenciale.

Të dy palët pranuan rëndësinë që ka dialogu për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull dhe ranë dakord për hapa të mëtejshëm që duhet të realizohen me qëllim që të arrihen rezultate pozitive mbi bazën e vlerave dhe rregullave europiane dhe në dobi të të dy vendeve dhe popujve të tyre.

Bisedimet ishin një hap i rëndësishëm përpara. Përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme në problemet shumëvjeçare do të vazhdojnë. Në këtë drejtim, u ra dakord që dy ministrat të takohen sërish muajt e ardhshëm në Shqipëri, me qëllim që të vlerësohet progresi i arritur dhe të vendoset për hapa konkretë të mëtejshëm".

Reagimi i ministrise se Jashtme shqiptare

Ndërkohë ministria e Jashtme shqiptare, duke publikuar deklaratën e përbashkët informon se bisedimet u zhvilluan në "një atmosferë miqësore dhe konstruktive, u krye një punë substanciale."

/Oranews.tv/ 

/Ora News.tv/