Fëmijët janë kategoria më e rrezikuar nga aplikacioni FaceApp. Programi që ndryshon moshën me atë të fotografive po kritikohet së tepërmi nga ekspertët për marrjen e të dhënave dhe keq përdorimin e tyre. Nga ana tjetër një senator i SHBA i ka kërkuar FBI që të ndërmarrë një hetim për kompaninë krijuese të programit e cila qendrën e saj e ka në rusi. Vetë kjo kompani ka thënë se imazhet e shkarkuara në program nuk ruhen më shumë se 48 orë.

Aplikacioni me të cilin përdoruesit mund ta shikojnë veten nën efektet e plakjes ka shkaktuar alarm ndërkombëtar në lidhje me sigurinë e të dhënave personale.

Shqetësimi i ekspertëve për programin lidhet me keqpërdorimin e mundshëm të imazheve të përdoruesve që shkarkohen në aplikacion.

Alma Lleshi Tandili: "Merr me detaje të gjitha informacionet personale të individit. Me një të shtypur ti jep komplet të dhënat në një aplikacion që askush nuk nga ne nuk e di sesi mund të jetë pas ekranit."

Drejtoresha e agjencisë për mbrojtjen e fëmijëve, Alma Lleshi Tandili thotë se duhet shumë kujdes me lejimin e aksesit të fotografive, të dhënave personale në FaceApp apo aplikacione të ngjashme, pasi rrezikojnë të përfundojnë në duart e pedofilëve.

Alma Lleshi Tandili: "Edhe pse e fshin si material ato ruhen për një kohë të gjatë që më vonë mund të përdoret për pedofilit, që ky është edhe meraku që ne kemi për sa i përket mbrojtjes së fëmijëve."

Shqetësimi për aplikacionin që ka gjetur përdorim të gjerë ditët e fundit është përhapur edhe në vendet perëndimore. Në SHBA senatori Chuck Schumer, kërkoi që FBI të hetojë aplikacionin duke shtuar përmes një letre se është "thellësisht shqetësuese" fakti se të dhënat personale të qytetarëve amerikanë mund të përfundojnë në Rusi.

Kompania që krijoi aplikacionin e ka bazën në Shën Petersburg të Rusisë. VVireless Lab, në një reagim tha se nuk i ruan përgjithmonë fotografitë dhe se nuk mbledh të dhëna dhe se shumica e imazheve fshihen nga serverët e kompanisë brenda 48 orësh nga data e shkarkimit. Senatori Schumer, megjithatë, kërkoi që FBI dhe Komisioni Federal i Tregtisë të hetojnë aplikacionin FaceApp.

/Ora News.tv/