Pas "kampionëve" të Kukësit, që bëri mbrëmjen e djeshme debutimin e saj  në Champions League, ku barazoi me shifrat e bardha 0-0 me maltezët e Valletta-s, sot është radha e 3 skuadrave të Kategorisë Superiore për të zbritur në fushë.

Pavarësisht se nuk nisen si favorit, Luftëtari, Partizani dhe Laçi do të luajnë sot ndeshjen e parë, për raundin kualifikues të Europa League, takime që do jenë të shpërndara në 3 orare të ndryshme.

Gjirokastritët do bëjnë debutimin e tyre në kompeticionet europiane dhe përballë do të gjejnë një skuadër shumë me traditë në këto kompeticione, letonezët e Ventspils. Në " Ventspils Olimpiskais stadions" bluzinjtë do të tentojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze, edhe pse ka ndryshuar shumë nga ekipi i sezonit të kaluar.

Ndeshja mes Ventspils dhe Luftëtarit është programuar për të luajtur në orën 16:45.

Vetëm pak minuta më pas, në 17:30, është radha e Partizanit për të zbritur në fushë. "Demat" janë e vetmja skuadër shqiptare që takimin e parë e luan në shtëpi, pasi në "Selman Stërmasi" do pres Mariborin. Pavarësisht cilësive, sllovenët janë dhe skuadra më me eksperiencë në kompeticione të këtij lloji. Këtu ka dhe pak derbi shqiptarësh, me Valon Ahmeti që pasi është aktivizuar me kombëtaren kuqezi do të zbres në fushë për herë të parë si kundërshtar.

Mbrëmja shqiptare në Europa League do të mbyllet në orën 19:00, aty ku Laçi do të sfidoj në transfertë qipriotët e Anorthosis. Pavarësisht se nuk nisen të favorizuar, kurbinasit janë një skuadër me traditë në kompeticionet europiane dhe pritet të shfrytëzojnë eksperiencën për ta marrë një rezultat pozitiv nga kjo përballje. Ndeshjet e kthimit janë programuar për tu zhvilluar javën tjetër.


/Ora News.tv/