Kanë mbërritur materialet zgjedhore në Bashkinë e Gjirokastrës për zgjedhjet e 30 qershorit.

"Sot kanë mbërritur kutitë e votimit në KZAZ-në 78 në Gjirokastër. Çdo gjë është gati për votimet e 30 qershorit. Ka ardhur e gjithë baza materiale. Do ta kompletojmë çdo qendër votimi me procesverbalet e duhura. Me listat e zgjedhësve, me të gjithë materialet që i duhen qendrave të votimit. Me 30 qershor, KZAZ 78 do të zhvillojë zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk kemi pretendime nga Bashkia për lirimin e hapësirave".

Sakaq në Bashkinë Lezhë pas kërkesës së kësaj të fundit për lirimin e ambienteve të KZAZ-ve, në disa nga objektet që menaxhohen nga administrata e djathtë në këtë qark janë hequr listat e zgjedhësve.

Pavarësisht kësaj pasditen e të martës pritet që të mbërrijnë materiale zgjedhore të tjera në KZAZ-të 12 dhe 13, ndërsa ambientet e shkollave "Hydajet Lezha" dhe "Besëlidhja" janë marrë në ruajtje nga policia e qarkut.

Në Bashkitë e tjera të djathta listat zgjedhore janë të afishuara pranë qendrave të votimit dhe KZAZ-të thonë se janë në punë për përgatitjen e procesit.

Përveç qarkut të Lezhës, edhe në Bashkinë Kamëz qëndrojnë efektivet e policisë, ndërsa brenda KZAZ-ve vijon puna për përgatitjen e procesit zgjedhor të 30 qershorit, si ajo e furnizimit me materiale të tjera zgjedhore.

Që në orët e para të mëngjesit pranë KZAZ nr. 27 tek shkolla "Ibrahim Rugova" në Kamzë dhe KZAZ nr. 28 në Paskuqan janë vendosur nga dy patrulla policie, të cilët shërbejnë me dy turne nga 12 orë, për ti paraprirë ndonjë situate të mundshme tensioni.

Nga 8 efektivë janë të vendosur para hyrjes dhe brenda dy KZAZ-ve, ndërsa në KZAZ-në Babrru nuk ka të vendosur asnjë oficer, kjo nisur dhe nga situata e qetë që ka qenë ditët e fundit në këtë qendër votimi.


/Ora News.tv/