PS dhe Euralius kundër Metës, rrëzohet dekreti për ligjin e noterisë

PS dhe Euralius kundër Metës, rrëzohet dekreti për ligjin e

Deputetët socialistë rrëzuan në Komisionin e Ligjeve dekretin e Presidentit për të rishqyrtuar ligjin për noterinë. Kundër vendimit të Presidentit ishte edhe Euralius, përfaqësuesja e të cilit certifikoi ligjin si në përputhje me legjislacionin europian. Për opozitën, 3 nene të këtij ligji e dëmtojnë atë në thelb duke prishur mënyrën e funksionimit të noterëve.

Ligji për noterinë vuri përballë në Komisionin e Ligjeve përfaqësuesin e Presidentit dhe atë të Euralius. Sipas, Bledar Dervishajt, ligji është kthyer për rishqyrtim sepse disa nene të tij nuk ishin formuluar si duhet duke sjellë cënim të Kushtetutës.

Por për përfaqësuesen e Euralius, Agnes Bernard, ligji nuk ka asnjë problem.

Më pas diskutimi i kaloi anëtarëve të Komisionit, ku deputetët demokratë dhe ata të LSI-së iu bashkuan qëndrimit të Presidentit.

Enkelejd Alibeaj: Keni bërë pazar, nga 30 nene i ratë një kryq të madh reformës në drejtësi. Tamtamet e mëdha, pompoziteti i reformës në drejtësi, bëhet një ligj të ri nga e para si pazar.E kuptoj tundjen e kokës të zonjës Sadushi, ka të drejtën e vet se përfaqëson notereët dhe ka të drejtë të jetë e kënaqur. Pyetja është: Po interesin e publikut kush e mbron? Po të gjithë ata hallexhinj të cilët shkojnë nëpër gjykata dhe prokurori thjesht se një noter i papërgjegjshëm, i korruptuar, me një akt noterial, të bën gjëmën, të merr pronën.

Ai  kërkoi që të merren seriozisht argumentet e Presidentit për kthimin e ligjit.

Enkelejd Alibeaj: E vetmja gjë që është shtuar në ligj është detyrimi i noterëve që të shkojnë te shoqëritë e sigurimit dhe besoj se këtu tenderi është bërë se cili oligark do të fitojë të drejtën për ti siguruar noterët. Me të drejtë Presidenti ka thënë, po për fakirët që nuk kanë të paguajnë tarifat e kripura edhe të noterëve në këtë rast, kush mendon? Këtu mendohet vetëm për ata që kanë para, për oligarkët që do të marrin sigurinë e noterëve. Ky palo shtet shton përditë e më tepër procedurat administrative, për një dokument krejt banal duhet të shkosh te noteri. Këto janë arsye të forta për ta marrë seriozisht zilen që  i ka rënë Presidenti i Republikës. Kaq ka të drejtë ai.

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, vlerësoi se ligji është shumë mirë kështu siç është pasi redukton numrin e noterëve, të cilët gjatë kohës kur titullarët në Ministrinë e Drejtësisë ishin të PD dhe LSI, dhanë një numër të lartë licensash.

Ulsi Manja: I kam dhënë fjalën opozitës që deri në 16 shkurt do ta mbledh përditë Komisionin e Ligjeve për të bërë thirrje për protestën e 16 shkurtit. Duam një shërbim noterie që ti ofrojë qytetarëve shërbimin më të mirë të mundshëm dhe jo si deri sot ku një pronë apo apartament është shitur 10 herë. Nuk e kam shitur unë, asnjë nga kolegët e mi, në këtë shërbim ka ndodhur.Kemi ardhur në një ligj që është i standardeve më të mira europiane por sigurisht do të jetë praktika, puna e përditshme e noterëve në Republikën e Shqipërisë që do të japë notën për cilësinë e këtij ligji që ne kemi miratuar.

Në fund deputetët e maxhoranës votuan kundër dekretit të Presidentit,duke e lënë në fuqi ligjin siç është.

Me 15 janar 2019, Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për noterinë”, me qëllim rishqyrtimin e neneve 61, 65 dhe 76 të këtij ligji.

Në argumentimin e këtij vendimi, meta thotë se ligji “Për noterinë”, nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji.

Formulimi i këtij neni sipas kreut të shtetit, përveç se nuk parashikon procedurën se si do të zbatohet në praktikë si dhe nuk përmban asnjë parashikim të shprehur që t’i japë të drejtë Ministrit të Drejtësisë që në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterisë të nxjerrin aktet nënligjore me qëllim parashikimin e gjithë procedurës së hollësishme për realizimin e këtij procesi.


EMISIONET