Mazhoranca miratoi e vetme mes debateve ligjin për kalimin e pronave nga ish-ndërmarrjet bujqësore në pronësi të përfituesve.

Fatmir Mediu dhe Nasip Naço, si të vetmit përfaqësues të opozitës, e kundërshtuan pasi sipas tyre me këtë ligj tokat i përfitojnë edhe ata që nuk duhet ti përfitojnë.

Fatmir Mediu: Në vend që këto toka të vihen si fond i kompensimit apo kthimit të pronave të pronarëve të ligjshëm, i çojmë akoma dhe më tej që t'ua japim atyre që nuk u takon, që i marrin sipas interesave politike dhe konjekturës politike. Nuk mund të shikohet e drejta si numër votash.

Nasip Naço: Mënyra sesi e shtoni nuk e ndalon që ai që nuk ka qenë punonjës por ka qenë banor i fshatit, të marrë tokën. Ligji është klientelist. Po i legalizoni të gjitha këto toka të marra, të mbajtura në mënyrë të paligjshme.

Por për mazhorancën, mënyra sesi përfitohet një tokë bujqësore është tashmë e rregulluar nga legjislacioni.

Klotilda Ferhati Të gjitha shqetësimet që keni, që janë të drejta, sa i takon mocënimit të së drejtës së pronësisë së subjekteve që mund të kenë pretendime, proces etj. Tokat bujqësore që mund ti marrë sot fshatari që e përdor efektivisht por nuk ka titull pronësie janë të ezauruara në legjislacionin aktual.

Projektligji i paraqitur është hartuar nga zëvendëskryeministri Erjon Braçe në kohën kur ishte deputet nga ku më pas janë bërë edhe disa ndryshime në qeveri.

/Ora News.tv/