Matura e Rrëshenit, prindërit, mësuesit dhe policia

Matura e Rrëshenit, prindërit, mësuesit dhe policia

Dje u bë mbrëmja e maturës për nxënësit e Rrëshenit. Nuk dola të shoh këtë paradë, por pashë disa foto të atyre që kishin marrë pjesë. Isha edhe pjesë e ndonjë bisede maturantësh që po komentonin mbrëmjen. Të gjithë pak a shumë e në mënyra të ndryshme kemi festuar maturën, por sipas mendimit tim së fundmi po teprohet në disa drejtime.

Një nga këto teprime është marrja e makinave me qera për të shkuar në mbrëmje apo edhe shpenzimet për veshjet e ndryshme. Ka në këtë gjë edhe përjashtime fatlume. Ndër ta ishte edhe Harleni, organisti dhe dirigjuesi i korit të Kishës së Rrëshenit, i cili si mjet kishte zgjedhur biçikletën e tij duke dalë nga rreshti i atyre që kanë detyruar prindërit për të marrë një makinë me qera. E vlerësova shumë këtë origjinalitet, pasi i përshtatet edhe karakterit të këtij djali të talentuar, që sigurisht do të ketë një të ardhme të bukur në artin muzikor.

Por le t'i kthehemi temës. Si është e mundur që familje maturantësh të Rrëshenit, të cilat në 80 % të tyre disktuojnë si të arrijnë në fundin e muajit dhe janë nën një gjëndje mesatare ekonomike, t'i lejojnë vetes shpenzime të tilla? A ka një refleksion të mësuesve dhe prindërve në këtë drejtim? Unë mendoj se duhet hapur një diskutim për maturën e ardhshme dhe të gjendet një mënyrë festimi e cila nuk mbetet peng e një llogjike konsumiste dhe tangarllëku. Matura presupozon festimin e dijes, një kalim nga vëçantia e një gjimnazi në të përgjithten (universitas) e dijes. Nuk dua të gjykoj maturantët, por dua t'i ftoj në një reflektim në lidhje me kuptimin që i japim një mbrëmje të tillë. Një rol të rëndësishëm kanë edhe mësuesit dhe dejtoritë arsimore si dhe ministria e arsimit. Ky nuk është vetëm një moment privat festimi, por edhe një moment publik i njërit prej kalimeve më të rëndësishme në jetën e një njeriu. Ky kremtim duhet të jetë edhe, e sidmos, një moment i shpërfaqjes së disa vlerave që janë më shumë se një paradë banale dhe vullgare makinash. Ka një sistem vlerash që duhet respektuar edhe në këtë festim.

Por ka edhe një pyetje më praktike. A e din policia nëse të gjithë këta maturantë që përdorin makinat kanë edhe patentë? Apo kanë mbyllur sytë dhe e kanë lejuar si diçka të mirqenë? Nëse është kështu është shumë keq dhe jep një mesazh të gabuar. Shteti dhe policia duhet të reagojë e të kontrollojë e madje të ndalë dikë që është pa patentë, pavarësisht mbrëmjes së maturës. Kur ndodh rreziku pastaj nuk mund ta justifikojmë më.

Do kisha pasur dëshirë që vitin e ardhshëm të hapej ky diskutim dhe pse jo të krijohej një forum me nxënës, prindër e mësues për ta bërë këtë festë me të vërtetë një çast festimi të së bukurës që vjen nga dija dhe jo se kush ka makinën më të bukur apo veshjen e krehjen më të pashme. Edukimi është një proces që nuk shterrohet brenda mureve të klasave, por edhe këto momente janë tregues të asaj që është dhënë në orët e mësimit.

Unë kam besim që po të ftohen nxënësit të reflektojnë, të hapet një diskutim i sinqertë me ta, pa u imponuar këndvështrimin e të rriturve, ata do të jenë të gatshëm të gjejnë një zgjidhje dhe të pranojnë se gjërat duhet të ndryshojnë e se bëhesh më interesant kur shkon kundër rrymës se sa kur konformohesh me turmën.

Uroj që diçka të ndryshojë!

EMISIONET