Drejtori sportiv i Kamzës, Andi Matraxhiu ka pohuar se anashkalimi i rasteve flagrante kundrejt skuadrës së drejtuar prej tij gjeti "shpërthim" në trupin e gjyqtarit të takimit, Kamza-Laçi, Eldorian Hamiti. I ftuar në "Fair Play nga Enkeleida Zeko" Matraxhiu tregoi arsyet që i dërguan drejtuesit të shkonin drejt atij vendimi ekstrem.

"Duhet t'i kërkoj falje familjes dhe zotit Hamiti. Duhet ta kisha mbrojtur gjyqtarin. Vendosa të distancohem nga dhuna, por kjo më mbrojti. Klubi i Kamzës nuk ka qënë asnjëherë palë me dhunën. Ishte një shpërthim spontan i ndjenjave të akomuluara nga java në javë. Dashje pa dashje Kamza diskriminohet si shoqëri. Edhe në media skuadra e Kamzës nuk gjen shumë hapësira. Nëse Kamza do të ishte bërë pjesë e studiove televizive, kjo do të kishte informuar opinionin sportiv. Por kur një skuadër e madhe që ka pas shpine mbështetjen e partive politike dhe kur Kamza anashkalohet. Kur erdhi momenti për të folur për Kamzën, në një studio televizive, sidomos ndaj Kastriotit, ai i ftuari tha kaloje kaloje. Hamiti është pjesa e fundit e asaj ngjarjeje. Skena nuk ishte e mirëorganizuar por e gjitha spontane. Penalltia me Laçin ishte e saktë. Arbitri në fjalë ishte i paragjykuar. Ai ishte dashamirës i klubit të Laçit.

A jeni ankuar në FSHF për të gjithë këto padrejtësitë e bëra?

Patjetër por na kanë kthyer një letër ku kërkohet se final arbitër të mos arbitrojë skuadrën tuaj. Por nëse kjo ndodhte, skuadra jonë nuk mund të gjykohej nga askush.

Si do e justifikoni përjashtimin me 3 vite kur nuk e keni goditur Hamitin?

Në ndeshjen me Partizanit, unë kam lëshuar një ofendim drejt gjyqtarit Andi Koçi dhe jam dënuar me 5 javë. Arrestimi im më ka goditur mua dhe familjen time. Unë nuk kam goditur asnjë. Nerva kemi, por kulturën për tu përmbajtur e kemi. Kur ngjarja iu drejtua dhunës unë u largova. Në momentin që situata agravoi, kur tifozët u futën në fushë, zbritëm për të hyrë në fushë. Por dera e poshtë nuk ishte e hapur, duke u vonuar të futem në fushë. Unë se kam parë që është goditur arbitri Hamiti. Unë jam mbajtur nga trajneri, dhe i kam thënë se nuk kam vullnet për të goditur askënd. E kuptova që në atë moment që Kamza u shkatërrua. Por aty nuk ishte momenti për të menduar për Kamzën, por për jetën e Hamitit. I kam kërkuar falje. Ndihem fajtor, por unë nuk kam goditur askënd. Futbollistët janë masakruar javë pas jave nga gjyqtarët, por nuk kanë reaguar kurrë. 

Apelimi?

Unë kërkoj që Komisioni i Apelit të rishihet. Ne e kemi apeluar tashmë. Edhe pse këtu merren vendime nga njerëz të tjerë. Është dënuar një qytet i tërë. Kam parë fëmijë që qajnë në shkallët e stadiumit.Futbollistët nuk janë dënuar, por kanë mbetur në rrugë. Disa nga futbollistët janë ofruar në merkaton e janarit, dhe nuk kanë mundësi për të firmosur me një skuadër tjetër, pasi plotëson numrin 3 të skuadrave brenda 1 sezoni. Plaku ka luajtur me Kukësin në Kupat e Europës dhe nuk mund të largohet. Ata që kanë mundësi të largohen mund të firmosin me një skuadër që e ka kampionatin ende pa filluar, si Kazakistani përshembull.





/Ora News.tv/