Presidenti i Iranit tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur të shkatërrojnë marrëveshjen bërthamore mes Teheranit dhe fuqive të mëdha. 

Pasi  përshëndeti marrëveshjen si një fitore afatgjatë për Iranin, Hassan Rouhani njoftoi përmes medias shtetërore se administrata amerikane Trump pavarësisht  përpjekjeve të përsëritura ka dështuar dhe nuk ka arritur ta dëmtojë dot marrëveshjen bërthamore.

Fjalimi i liderit Iranian erdhi pasi presidenti i SHBA Donald Trump dha të premten mbrëma një ultimatum për të gjithë nënshkruesit evropianë të marrëveshjes, që të rregullojnë gabimet e tmerrshme të paktit me Iranin, ose përndryshe Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen. 

Megjithatë Trump ra dakord të heqë dorë nga sanksionet kundër Iranit për herë të fundit për t'i dhënë SHBA dhe aleatëve evropianë edhe një shans tjetër në mënyrë që të ndryshojnë marrëveshjen. 

Ndërkohë nga ana tjetër Irani thotë se marrëveshja bërthamore është e parinegociueshme dhe ka kërcënuar se  do ta prishnin paktin dhe do të kundër përgjigjen nëse Uashingtoni vendos të tërhiqet.  Ultimatumi i SHBA ushtron presion mbi evropianët, mbështetës të marrëveshjes bërthamore, që të plotësojnë dëshirat e Trump, i cili kërkon që marrëveshja të forcohet me një tjetër pakt brenda 120 ditëve. 

Uashingtoni njoftoi sanksione të tjera kundër 14 njësive dhe zyrtarëve iranianë, duke përfshirë drejtuesin e gjyqësorit Ayatollah Sadeq Larijani, aleatin udhëheqësit suprem të Iranit Ajatollah Ali Khamenei. Duke i konideruar sanksionet si veprim armiqësor, Ministria e Jashtme iraniane tha se masa kalonte të gjitha linjat e kuqe të sjelljes në bashkësinë ndërkombëtare dhe është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare.



/Ora News.tv/