Flota Mbretërore britanike ka shoqëruar një luftanije ruse që kalonte pranë ujërave të saj territorialë gjatë Krishtlindjes. Ky lloj aktiviteti detar perceptohet si agresion nga zyrtarët britanikë, të cilët kanë ngritur shqetësim për rritjen e ndjeshme të veprimtarisë së anijeve ruse në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Një fregatë britanike ka shoqëruar një luftanije ruse përmes Detit të Veriut pranë ujërave të Mbretërisë së Bashkuar në ditën e Krishtlindjeve.

Flota Mbretërore britanike bëri të ditur se anija HMS St Albans monitoroi aktivitetin e luftanijes Admiral Gorshkov, ndërkohë që ajo kalonte pranë ujërave territoriale ishullore.

Teksa nuk ka një koment nga Rusia lidhur me këtë çështje, Flota Mbretërore britanike pohon se ka patur një rritje të shpejtë të njësive ruse që kalojnë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Zyrtarët britanikë e konsiderojnë këtë një formë agresioni dhe kanë deklaruar se nuk do të hezitojnë në mbrojtjen e ujërave kombëtare nga çdo formë sulmi.

Autoritetet madje kanë paralajmëruar për një kërcënim të ri të paraqitur nga Rusia, ndaj kabllove nënujorë të komunikimit.

Marrëdhëniet mes Britanisë dhe Rusisë janë jo pak të tensionuara, teksa Londra pretendon se ka prova të qarta për përfshirjen e Moskës në procese zgjedhore të huaja.

Lidhjet mes dy vendeve kanë mbetur të tensionuara që pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

/Ora News.tv/