Ndryshimet kushtetuese që i dhanë emrin Maqedonia e Veriut janë përshëndetur edhe nga partia ZGJIDHJA. Në një deklaratë, kjo parti apelon qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev që të mos vonojë në implementimin real të marrëveshjes së Ohrit, nënshkruar në vitin 2001.

Deklarata e ZGJIDHJES

Sot, Parlamenti i Maqedonisë vendosi me shumicë votash të adoptojë ndryshimet kushtetuese dhe emrin e ri “Maqedonia e Veriut”, sipas marrëveshjes me Greqinë, nënshkruar në Prespë.

Partia ZGJIDHJA përshëndet këtë vendim historik të parlamentarëve të Maqedonisë, veçanërisht të deputetëve shqiptarë. Kjo marrëveshja tashmë do të zgjidhë kundërshtimet rreth emrit të ish-republikës jugosllave, në rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO dhe në BE.

ZGJIDHJA beson se vullneti i shprehur me votën e sotme do të çojë përpara integrimin euro-atlantik të Maqedonisë, duke e bërë atë anëtar të 30-të të NATO-s dhe më vonë edhe si pjesë e Bashkimit Europian, duke rritur sigurinë e stabilitetin në rajon dhe duke prosperuar vendin ku jeton një popullsi e madhe shqiptare.

ZGJIDHJA apelon qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev që të mos vonojë në implementimin real të marrëveshjes së Ohrit, nënshkruar në vitin 2001, duke u dhënë shqiptarëve të Maqedonisë statusin e tyre të merituar si njëra nga dy kombësitë që formësojnë atë shtet. Pa zgjidhur këtë, çdo retorikë boshe, do të minojë rrugën euro-atlantike të vendit, përparimin e tij dhe sigurinë në Ballkan.

/Ora News.tv/