Prokuroria Speciale në Maqedoni, ka nisur një hetim për zv/kryeministrin Bujar Osmani, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në periudhën kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Hetimet për rastin janë koduar "Pacienti".

Ekipi i prokurores Janev dyshon se Osmani ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të procedurave. Osmani nga ana tjetër mohon që të ketë shkelur ligjin dhe pret që të sqarohet sa më shpejt e vërteta.

"Për disa vite janë paraqitur këto spekulime për disa abuzime të dyshimta në Ministrinë e Shëndetësisë dhe unë isha një nga ata që këmbëngulën për një hetim. Nëse i ndiqni paraqitjet e mia publike, unë gjithmonë kam kërkuar që sa më shpejtë të hapen hetimet, sepse nuk ka nevojë të qëndrojnë vazhdimisht si njollë dhe dyshim për punën time. Edhe partia ime ka kërkuar hetim për çdo zyrtar që nga viti 2002, unë jam i kënaqur që ky hetim përfundimisht është hapur, roli i të cilit është t’i vërtetojë faktet. Pres që sa më shpejtë dhe në mënyrë më efikase të përfundojë"-deklaroi Bujar Osmani.

Për Kryeministrin Zoran Zaev, hapja e një hetimi për Osmanin, nuk do të nxitë përgjegjësi,duke thënë se do të presë për një vendim të plotfuqishëm.

"Qëndrimi im ka qenë gjithmonë i njëjtë. Askush nuk është fajtor përderisa ajo të vërtetohet me një vendim të plotfuqishëm, dhe sigurisht ky është vetëm një hetim, do të dëshiroja t’i dija hollësitë, do ta ndjek procesin me kujdes dhe do të veproj në kohën e duhur nëse diçka lidhet me dinjitetin e Qeverisë", tha Zoran Zaev.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga kryeministri Zaev të shkarkojë Bujar Osmanin. Qeveria sipas ASH-së nuk është kredibile dhe se shkarkimi i Osmanit dhe ministrave tjerë të dyshuar për korrupsion duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeverie teknike që do t’i kishte numrat e nevojshëm për të kaluar reformat kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe realizimin e barazisë së plotë të komuniteteve në vend, përpara se vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

/Ora News.tv/