Partia Popullore Europiane votoi të enjten eurodeputetin gjerman Manfred Weber si udhëheqësin kryesor të fushatës për zgjedhjet europiane, duke e bërë dhe kandidatin e saj në garë për ekzekutivin e BE-së.

Në garën e konservatorëve përballë tij ishte ish-kryeministri finlandez Alexander Stubb.

"Unë dua të hap një kapitull të ri, jo një kapitull frike dhe zemërimi, por një kapitull optimizmi," tha Weber pak para votimit.

Në bazë të sistemit të kandidatit udhëheqës, grupet kryesore politike paraqesin propozimin e tyre për postin e kryetarit të Komisionit Europian.

Sidoqoftë, vendimi përfundimtar do të merret nga udhëheqësit e BE-së.

Ky sistem është propozuar për të shtuar transparencën dhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet europiane.

Weber-i, i cili vjen nga Bavaria, rajoni tradicionalisht konservator i Gjermanisë, kryeson grupin më të madh të Parlamentit Europian.

Megjithatë, ai është pak i njohur jashtë qarqeve politike të Gjermanisë dhe të BE-së dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rol në qeveri.

Rivali më i fortë i Weber-it në garën për kreun e Komisionit të BE-së ka të ngjarë të jetë Frans Timmermans, kandidati kryesor i Partisë Socialiste Europiane.

Partitë më të vogla janë gjithashtu në procesin e zgjedhjes së kandidaturave të tyre.

/Ora News.tv/