Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se vitin tjetër do të përfundojnë dy laboratorë për të kontrolluar cilësinë e barnave.

E ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Manastirliu tha se 70% e barnave që hyjnë në Shqipëri janë nga Komunitetit Evropian dhe plotësojnë të gjitha standardet e cilësisë.

Ogerta Manastirliu: Jemi duke marrë masa që në Agjencinë e Kontrollit të Barnave të ndërtojmë dy laboratorë. Sot ka një laborator, i cili bën një gamë analizash për barnat, sepse barnat kur vijnë në territorin e Shqipërisë kanë disa certifikata. 70% e barnave që hyjnë në Shqipëri janë nga Komunitetit Evropian. Barnat që vijnë në Shqipëri plotësojnë standardet e cilësisë, kanë një seri kriteresh kur futen në Shqipëri. Kontrollohen nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe i nënshtrohen një serie ekzaminimesh. Ne jemi duke ndërtuar 2 laboratorë që vitin tjetër përfundojnë, ku hapim gamën e analizave të barnave. Ajo që jemi duke realizuar dhe bëjmë ditë për ditë është kontrolli rigoroz në farmaci, që farmacitë të plotësojnë të gjitha kushtet, në depot farmaceutike që të plotësojnë të gjitha kushtet, frigoriferike apo të magazinimit që cilësia dhe efikasitet mos cënojë shëndetin e qytetarëve.

Numri një i shëndetësisë foli edhe për rimbursimin e barnave, për të cilat tha se janë rreth 640 barna.

Ogerta Manastirliu: Ne sigurojmë që qytetarëve i japim barna të rimbursueshëm për diagnoza duke filluar nga ato që prekin më shumë sëmundshmërinë dhe patjetër që cënojnë dhe shëndetin e qytetarëve. Janë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, janë sëmundjet tumorale dhe për herë të parë kemi realizuar në 2018 dhe tani në 2019 të mbulojmë 100% barna që janë të shtrenjta, terapitë e të cilave për një njeri shkonin 27 mijë euro që ishte herceptina për kancerin e gjirit.

/Ora News.tv/