Ekonomia shqiptare do të shkojë drejt ngadalësimit e ndikuar nga situata energjetike, kriza politike dhe mungesa e investimeve.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj deklaroi se tensionet politike ulin investimet, konsumin, si dhe çojnë të rinjtë drejt emigrimit.

Malaj: Të sensibilizohen politik bërësit për konsensus dhe marrëveshje të domosdoshme, me të cilat ulet risku politik në një vend. Në një shtëpi që ka sherr nuk mendon njeri as për mirërritjen e fëmijëve dhe as për investimet e familjes. Dhe në mënyrë simetrike, në një vend që sherri politik sa vjen dhe rritet individët janë më skeptikë, të rinjve u vritet shpresa dhe në vend që të rrinë dhe të angazhohen për të mbrojtur vendin e tyre, e braktisin atë dhe ky është një fenomen social që ndodh edhe në vendet e tjera. 

Malaj sugjeron që të merren masa për të krijuar institucione më të forta ligjore.

Malaj: Të kemi një rritje më të lartë, por rritje të orientuar nga eksportet. Në mënyrë që të jemi sa më konkurrues ne duhet të kemi një rritje ekonomike duke shëndoshur institucionet e funksionimit të shtetit ligjor, në mënyrë që sektori privat vendas edhe i huaj të ketë sigurim për të marrë sa më shumë risk, sepse ekonomia ka nevojë për më shumë konsum dhe më shumë investime.

Rritja ekonomike e Shqipërisë në tre vitet e ardhshme pritet të ngadalësohet ndjeshëm, ndërsa edhe gjatë 2019 rritja pritet të jetë në 4%.

/Ora News.tv/