Milot: Makina përplaset me trafikndarësen, vdes 13 vjeçarja dhe plagoset i ati
Një 13-vjeçare humbi jetën pasi makina e drejtuar nga i ati doli nga rruga dhe u përplas me trafikndarësen në Rrugën e Kombit. Aksidente u shënuan edhe në Burrel dhe Tiranë, ku një burrë në gjendje të dehur përplasi makinën e policisë.
Një vajzë vetëm 13-vjeçe humbi jetën në një aksident tragjik në Rrugën e Kombit.
Ajo po udhëtonte me të atin 44 vjeçar, G.I, i cili pranë fshatit Gëziq humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me trafikndarësen.
Siç tregojnë pamjet në video, përplasja ka qenë e fortë.
Vajza S.I, mori plagë të rënda dhe sipas informacioneve ndërroi jetë rrugës për në spital.
Ndërsa i ati po trajtohet në spital dhe sipas burimeve ndodhet në gjendje të rëndë.
Ekspertiza ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, por dyshimet janë se shkak për aksidentin mund të jetë bërë shpejtësia e lartë.
Më herët gjatë natës drejtuesi i një kamioni që udhëtonte nga Shkupi drejt Tiranës mbeti i plagosur pasi u detyrua të hidhet nga mjeti që doli nga rruga dhe u përmbys jashtë saj.
Aksidenti u shënua në aksin Burrel-Milot, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se shkak u bë një parakalim i gabuar.
Ndërkaq në orët e pasdites së diele një aksident i rëndë ndodhi në aksin Peqin-Elbasan ku katër persona u plagosën nga përplasja e tri automjeteve, dy tip 'Benz' dhe një 'Mitsubishi'.
Një grua ndodhet në gjendje të rëndë ndërsa tre drejtuesit e mjeteve janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Elbasanit. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë një manovër e gabuar e njërit prej drejtuesve të mjeteve. Një tjetër ngjarje rrugore është regjistruar në aksin Korçë-Pogradec pranë fshatit Leshnicë ku dy persona u plagosën nga përplasja mes dy mjeteve. Në Tiranë një 47 vjeçar u arrestua nga Policia pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Gjatë tentativës për ti shpëtuar arrestimit ai goditi një makinë të Policisë Rrugore duke rrezikuar jetën e efektivëve.
