Magjistratura, Manja: Opozita në kapsllëk politik, dialog me kushte harrojeni!
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaron "nuk ka kthim prapa" dhe "dialog me kushte për të zhbërë vetingun opozita duhet ta harrojë.
Në një prononcim për median jashtë sallës së kuvendit, Manja i bëri apel opozitës të reflektojë dhe të japë votat për ligjin e magjistraturës, duke nënvizuar se nuk ka kolapsim të reformës në drejtësi por kolapsim të opozitës. Madje shkoi deri atje sa tha se Kushtetuta ka recete për zhbllokimin e situatës por jo për atë qe e quajti 'kapsllekun" politik te opozites.
Ulsi Manja: " Dialog me kushte për tu rikthyer në korrikun e 2016 për të zhbërë reformën në drejtësi dhe vettingun, nuk ka ka, harrojeni se nuk ka. Nuk ka kolapsim të sistemit të drejtësisë sepse Kushtetuta dhe ligjet e reformës kanë përcaktuar qartësisht mekanizmat e zhbllokimit. Këtij kolapsi siç pretendon opozita ia ka dhënë recetën kushtetuta dhe ligjet e reformës. Po Kushtetuta, në fakt nuk ka dhënë recetë për kapsllëkun politik që ka opozita e cila tani thotë reforma në drejtësi ka dështuar dhe hajde të kthehemi në konsensusin e korrikut 2016"
PS propozon amendim të ligjit për disa ndryshime lidhur me statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, i njohur dhe si ligji për magjistraturën. Por për këtë duhet shumicë e cilësuar, 84 vota dhe PS nuk i ka.
Ulsi Manja: "Ne nuk i kemi 84 vota por nuk na pengon aspak ta shohim njëri tjetrin në sy në sallën e parlamentit e të komunikojmë drejtëpërdrejtë për të thënë disa të vërteta lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi, sepse kam përshtypjen se procesi i reformës në drejtësi nuk është kuptuar si duhet nga opozita dhe po spekullohet në një lojë të pastër politike. "
Dispozita ligjore që kërkohet të votohet parashikon që në shkollën e Magjistraturës të pranohen 25 magjistratë të rinj për vitin akademik 2018-2019 dhe 2019- 2020.
Manja thotë se Kushtetuta e njeh mekanizmin zhbllokues edhe nëse opozita nuk i jep votat, por i kujton paralajmëron opozitën se konsensusi i vapës së korrikut 2016 mund t'i duket dimër
Ulsi Manja: E kemi këtë nxitim sepse magjistratura do të duhet te hape konkursin per pranimin në tetor. Por opozita kapet si i mbyturi pas fijes se barit. .. Teoria e kolapsimit të reformes në sistemin e drejtësisë nuk është teori juridike. Nuk jemi në rastin e kolapsimit të sistemit të drejtësisë, por kolapsim të opozitës e cila që nga dita e parë e të nesërmës që ka dhënë votën për ndryshimet kushtetuese është bërë pishman për të gjithë dinamikën e reformës. Nga opozita na kanë dalë profetë juridikë. Ne po presim me qetësi që opozita të reflektojë për ta dhënë votën për shkollën e magjistraturës sepse nëse nuk e jep votën për shkollën e magjistraturës, ne do të presim me qetësi ngritjen e këshillave të reja që ka paracaktuar Kushtetuta dhe ligji.
Por do të jetë shumë vonë për opozitën sepse në momentin që sistemi i drejtësisë, organet e reja të drejtësisë, do të ngrihen dhe funksionojnë, po ju them se konsensusi i vapës së korrikut 2016 do t'ju duket dimër. Reforma në sistemin e drejtësisë është projekt madhor i shqiptarëve. Nuk është shantazh. Duhet të jemi të qartë, o jemi në krahun e reformës dhe vettingut, ose kundër reformës. Rrugë të mesme nuk ka".
Nuk ka kthim pas
Pyetje: Nuk do uleni as për të dëgjuar kushtet e tyre?
Manja: Nuk ka sepse nuk ka më kthim mbrapa, mësimi më i mirë për këtë është vettingu. Opozita hesht. I keni parë shkaqet që japin në KPK gjyqtarët dhe prokurorët që largohen sesi e kanë bërë pasurinë. Është vajtur deri aty sa thonë: Kemi harruar, se dimë. 30 vite punë gjyqtar dhe thotë nuk dija të plotësoja formularin. Kulmi i kulmit është gjykata e Lartë. Kemi një gjyqtar që vettingu e ka larguar nga sistemi si subjekt të ligjit të dekriminalizimit, si nuk foli opozita një fjalë. Aty i kemi profetët e ligjit të dekriminalizimit që thoshin se ligji i dekriminalizimit është karta morale e kësaj opozite. Po tani që ligji dha një provë pse nuk flet asnjë? Nuk kanë si flasin se kanë dhënë votën dy herë për ta çuar në dy gjykata të larta të vendit. Tani thotë opozita nuk e japim votën për shkollën e magjistraturës se nuk duam të bëhemi palë që Rama të kapë sistemin e drejtësisë. Shkolla e magjistraturës nuk u kap kur në krye të saj ishte një ish-kandidat për deputet i PD dhe avokat i liderit historik, si do kapet tani kur në krye të shkollës është një personalitet juridik?
Rrjedhje votash?
Pyetje: Prisni rrjedhje votash?
Manja: Nuk është çështje rrjedhje. Unë them se aty ka deputet me integritet, ka deputetë arsimdashës.
Pyetje: Ka vendim grupi për të mos votuar tek LSI.
Manja: Pse ka grup atje? Atje ka shumë zëra, ca thonë se për shkollën jemi pro por nuk jemi për emërimin e magjistratëve të rinj nga KLD dhe prokurori i përgjithshëm në detyrë, ca të tjerë.
Pyetje: Ju tek cili grup jeni?
Manja: Ne jemi për të kaluar ligjin për shkollën e magjistraturës siç e kemi propozuar. Por nëse opozita do ti përgjigjet ftesës së hapur sy për sy, jo kështu në kulisa. S'ka dialog kulisash, as pazare politike: Më jep këtë, të jap atë. Ftesa është e hapur në sallën e parlamentit. Hajdeni të debatojmë dhe diskutojmë juridikisht për shkollën. Ata në mos u emërofshin tani, do të emërohen sapo të formohen KLGJ dhe KLP.
Ju ftoj të shkoni tek oborri i dy opozitave dhe t'ju thoni profetëve të kolapsimit të sistemit të drejtësisë hajdeni dhe votojeni ligjin e shkollës së magjistraturës. Sepse sa shpejt të kuptoni se çfarë është reforma në drejtësi dhe vettingu dhe të zbrisni me këmbë në tokë aq më mirë do të jetë për opozitën.
Kam një thirrje shumë miqësore: Ju lutem, mos e sulmoni vettingun dhe reformën në drejtësi, mos na i shtoni votat si shumicë se do të mbeteni pa kokërr vote në zgjedhjet që do të vinë. Drejtësia është thembra e Akilit.Ju lutem shkoni atje dhe thuajuni të zbresin me këmbë në tokë dhe të vinë në sallën e parlamentit.
Lëvizja Socialiste për Integrim përmes nenkryetarit Luan Rama kërkoi paraditen e sotme dialog mes aktorëve parlamentarë për ti dhënë zgjidhje reformës në drejtësi, duke propozuar një tryezë tre palëshe.
vijon
